Policia deklarohet lidhur me liturgjinë te Kisha Ortodokse në UP

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me rastin tek Kisha Ortodokse në Kosovë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për Klankosova.tv se sot rreth orës 04:30 është ndaluar një veturë me tre persona, dy nga të cilët shtetas të huaj.

Borovci tha se ndërkohë që janë kryer veprimet e nevojshme verifikuese nga ana e policisë, të njëjtit janë lënë të lirë për të vazhduar më tej.

“Ndërlidhur me pretendimet për ndonjë aktivitet fetar, përveç liturgjisë së Kishës Ortodokse që po vazhdon të mbahet në fshatin Bardhosh të komunës së Prishtinës nuk kemi ndonjë aktivitet tjetër të paralajmëruar. Ky aktivitet ka qenë i paralajmëruar dhe për aq sa i takon policia po monitoron ngjarjen për të lehtësuar rrjedhën normale të tij”, ka thënë më tej Borovci.

Ndërkohë, famullitari Stanisha Arsiq i Kishës Ortodokse në Kosovë, ka thënë që policia e Kosovës ua ndaloi atyre që të kryejnë liturgjinë në Kishën e Shpëtimtarit në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

“Sot rreth orës pesë e gjysmë, klerikët nga Kisha e Shën Nikollës janë nisur për të shërbyer Liturgjinë e Shenjtë me rastin e Ditës së Shpëtimtarit në Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë, mirëpo një polic na ndaloi ta zhbllokojmë kishën, afër nesh ishte një kordon prej tetë policësh, ndërsa në anën tjetër vumë re edhe dy vetura të tjera me policinë, për të na penguar të mbajmë liturgjinë”, ka thënë Stanisha për Kosovo-Online, përcjell Klankosova.tv.

Ai tha se priftërinjtë dhe besimtarët u detyruan të kthehen në kishën e Shën Nikollës pas ndërhyrjes së policisë.

Të ngjashme