Policia e Kosovës dhe Carabinierët vendosen tek ura e Ibrit, s’lejojnë qytetarët të dalin në veri

Prishtinë | 04 Pri 2020 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës dhe Carabinierët e Italisë janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore, raporton Koha.

Kjo për shkak se Mitrovica e Veriut, me vendim të Serbisë, është në karantinë, për shkak të situatës me koronavirus.

Mësohet se në kuadër të Policisë së Kosovës, ka policë shqiptarë e serbë që po patrullojnë në Mitrovicën e Veriut.

Mitrovica Veriore dhe Zveçani në karantinë

Mbrëmë dy komuna serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna.

Këtë e ka konfirmuar dje kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, duke bërë të ditur hyrjen në fuqi të vendimit në orën 18:00.

Nga komunat serbe në Kosovë, 17 persona deri më tani kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, derisa është shënuar edhe një viktimë nga komuna e Leposaviqit.

KOHA ka dërguar pyetje te Ministria e Brendshme lidhur me këtë çështje, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Të ngjashme