Policia e Kosovës e gatshme për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Prishtinë | 30 Tet 2020 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka filluar përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

Në kuadër të përgatitjeve, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka priti në takim u. d. drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie ku thuhet se ku takim u zhvillua në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut si dhe të bashkërendimit të aktiviteteve me institucionet tjera të Republikës së Kosovës.

“Në emër të KQZ-së, kryetarja Daka shprehu mirënjohje për angazhimin e Policisë së Kosovës në aspektin e sigurisë në proceset e kaluara zgjedhore, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të zbatimit të ligjit”, thuhet në komunikatë.

E në anën tjetër, u. d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se Policia e Kosovës, në kuadër të përgjegjësive institucionale dhe ligjore është e gatshme për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve me qëllim të realizimit të suksesshëm të procesit zgjedhor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme