Policia e Kosovës shoqëron nëntë persona nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të ndryshme penale

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Rasti Nr.1
Me datën 31/05/2019 në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘falsifikim i dokumenteve’ neni 390.

Ky operacion policor ka përfshirë tri lokacione të ndryshme të rajonit të Prishtinës, atë të Kodrës së Trimave, Velanisë dhe Matiqanit, ku gjatë kontrollit nga të dyshuarit janë sekuestruar:

  1. Veturë Opel Astra,
  2. Tre telefona SAMSUNG,
  3. Dy pasaporta të Republikës së Kosovës,
  4. Një librezë e veturës zvicerane.

Me vendim të prokurorit kompetent personat e dyshuar dërgohen në ndalim për 48 orë, për veprën penale ‘falsifikim i dokumenteve’.

Rasti Nr.2

Po ashtu sot me 31/05/2019 në komunën e Drenasit, Drejtoria për Hetimin e
Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas pranimit të informacioneve zyrtare nga vetë Komuna e Drenasit, ka ndërmarrë veprime policore lidhur me një rast të iniciuar me datën 12.04.2019, i cili ka të bëjë me dyshimet për përfshirje të disa zyrtarëve në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrimi në detyrë’, që ndërlidhen me një projekt tenderues të disa viteve më parë.

Pas hetimeve të kryera në cilësinë e personave të dyshuar janë intervistuar pesë (5) persona, prej tyre tre zyrtarë të kësaj komune, një ish zyrtar i komunës dhe një person i kontraktuar për menaxhimin e projektit tenderues, të cilët me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet mbi dyshimet e bazuara të përfshirjes së mundshme edhe të personave të tjerë.

Të ngjashme