Policia jep detaje për arrestimin e dy komisonerëve në QNR

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për arrestimin e dy komisionerëve me inicialet A.K dhe S.M, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas njoftimit të policisë të njëjtit janë arrestuar me 7 mars dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Të njëjtit dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve”.

“Prishtinë, 07.03.2021 –. Njësia përkatëse policore, ka arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin e bazuar se janë përfshirë në veprën e lartëcekur. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.

Për ndalimin e tyre sot janë deklaruar edhe nga Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar të martën dy persona nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve.

Sipas njoftimit, Prokurori sot do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

Bëhet fjalë për dy persona me inicialet A.K dhe S.M.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se gjatë ditës së djeshme (09 mars 2021), ka ndaluar dy persona me inicialet A.K dhe S.M, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve”, nga neni 211 dhe “Dhënia apo marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 të KPRK-së.

Po ashtu, Prokurori i shtetit gjatë ditës së sotme do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e lartcekur për shkak të dyshimit se  të njëjtit kanë kryer veprat si më lartë.

Gjithashtu, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast”, thuhet ndër të tjera.

Ky aksion i Prokurorisë vjen pas raportimeve në media dhe pas akuzave nga kandidatë të ndryshëm për deputetë se ka pasur vjedhje votash brenda partive.

Në qendrën e numërimit të votave ka pasur proces të rinumërimit nën vëzhgimin e prokurorëve, meqë janë ngritur shqetësime për tjetërsim të votave. 

Të ngjashme