Policia jep detaje rreth aksidentit ku u zhdukën dy policët

Prishtinë | 29 Pri 2018 | 13:04 | Nga

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në aksidentin e ndodhur mbrëmë 28.4.2018 rreth orës 20:45 minuta në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur Kulla me qeshmë, ku një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës në të cilën ndodheshin dy zyrtar policor, për shkaqe ende të panjohura kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc, nga të gjitha institucionet dhe njësitet prezentë ende vazhdojnë angazhimet intensive drejt kërkimit të dy zyrtarëve policor.

Ashtu siç është bërë e ditur menaxhmenti i lartë i PK-së, në vendin e ngjarjes kanë angazhuar menjëherë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe koordinimin, bashkëpunimin dhe angazhimin e menjëhershëm të njësitit të zjarrfikëseve, ekipit mjekësor, njësitit të FSK-së dhe njoftimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili po ashtu ka dalë në vend ngjarje.

Në komunikatë thuhet se një interesim dhe përkushtim të pakursyer drejt këtij rasti e kanë dhënë edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, FSK-ja dhe institucionet tjera prezentë, ku sot Ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, i shoqëruar nga Shefi i Stafit të Kryeministrit Avni Arifi dhe U.D. i Drejtorit të përgjithshëm të PK-së Naim Rexha, kanë dalë në vendin e ngjarjes për tu kujdesur nga afër dhe për tu njohur me të gjitha zhvillimet rreth rastit.

Krerët e institucioneve gjatë kësaj vizite u zotuan se do të angazhohen maksimalisht dhe nuk do të ndalen për asnjë çast drejt daljes në ndihmë dhe kërkimit të dy zyrtarëve policor të përfshirë në këtë aksident, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.

Po ashtu theksuan se ndajnë shqetësimin me familjarë dhe zyrtarë policor në këtë fazë shumë të vështirë për fatin e dy policëve, të cilët ishin në shërbim të qytetarëve dhe vendit.

Njëkohësisht u falënderuan të gjitha institucionet, njësitet, qytetarët dhe zyrtarët policor që janë duke vazhduar me aktivitetet drejt kontrollimit të terrenit dhe rrjedhës se lumit ku ka ndodhur aksidenti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme