Policia me plan operativ kundër abuzimit të fëmijëve, identifikon 58 lëmoshëkërkues

Prishtinë | 02 Kor 2019 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore po vazhdon me aktivitete për parandalimin e dukurive negative, konkretisht kundër abuzimit me fëmijë ka përpiluar një plan operativ “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit”.

Plani u zbatua në muajin qershor në tërë territorin e Kosovës.

Në këtë plan operativ kanë qenë të inkuadruar gjitha njësitet kompetente dhe akterët e tjerë relevantë.

Gjatë zbatimit të këtij plani operativ ka rezultuar me:

identifikimin e 58 fëmijëve lëmoshëkërkues, prej tyre 21 shtetas kosovarë dhe 37 shtetas shqiptarë
identifikimin e 42 lëmoshëkërkuesve të rritur, prej tyre gjashtë shtetas kosovarë dhe 36 shtetas shqiptarë
janë ngritur kallëzime penale ndaj 8 personave të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

Të gjithë fëmijët lëmoshëkërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve lëmoshëkërkues u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshëkërkuesve dhe janë marrë në pyetje familjarët e tyre, me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz.

Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit.

Fëmijët të cilët nuk kanë rezultuar viktima të trafikimit me njerëz janë ndërmarrë këto masa si më poshtë:

1. Është konsultuar prokurori përkatës, janë iniciuar tetë raste ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ sipas nenit 243 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë dorëzuar kallëzime penale kundër tetë të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues, ndërsa janë identifikuar 21 fëmijë si viktima të kësaj vepre penale,

2. Të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë (58) janë referuar në (qendrat për punë sociale (QPS) përkatëse.

3. Pas trajtimit të rasteve veç e veç dhe verifikimit të rrethanave, në konsultim me Prokurorinë dhe QPS-të përkatëse, shtetasit e Shqipërisë janë referuar në drejtorinë përkatëse (DMH) për trajtim të mëtutjeshëm sipas kompetencave.

Të ngjashme