Policia ndalon dy persona, po prisnin dru në brezin kufitar

Prishtinë | 07 Tet 2021 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ditën e djeshme rreth orës 14:30, gjatë vëzhgimit në fshatin Sllatinë, patrulla kufitare e Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare-Kërpimeh, gjatë realizimit të detyrave dhe përgjegjësive ka vërejtur disa persona meshkuj duke prerë dru në brezin kufitar.

Me të hetuar patrullën policore, sipas policisë, personat janë larguar në drejtim të malit poshtë, mirëpo reagimi i shpejt i patrullës ka bërë që të ndalohen dy persona meshkuj kosovarë, që ishin duke prerë dru me dy moto-sharra.

“Në vend-ngjarje janë hasur të grumbulluara rreth dyzet (40) trupa dru, të gjatësive të ndryshme 10 deri 15 metra dhe diametër nga 20 deri 40 cm, një traktor, një ngarkesë (ram) me afro 7 deri 8 m3 dru dhe një tjetër gjysmë i ngarkuar me dru. Lidhur me rastin, është njoftuar Dogana e Kosovës ndërsa në konsultim me prokurorin, të dyshuarit H.M (1976) dhe M.M. (1992) lirohen në procedurë të rregullt. ndaj tyre është iniciuar rasti ‘kontrabanda me mall’. Në këtë rast janëkonfiskuar dy moto-sharra dhe pesë radio-lidhje dore për komunikim të gjetura në vend ngjarje. Policia kufitare e Kosovës mbetet e përkushtuar në menaxhimin dhe kontrollin efikas të kufirit shtetëror dhe ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj të gjithë atyre që merren me veprimtari të kundërligjshme”, është thënë për media nga PK.

Të ngjashme