Policia: Nuk kemi bastisur pronat e Kurtit dhe Kadaj-Bujupit

Prishtinë | 22 Nën 2017 | 12:46 | Nga

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nuk ka rrethuar dhe nuk ka bastisur asnjë adresë banimi lidhur me zbatimin e urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ky urdhër kishte të bënte me sjelljen me detyrim të deputetit Albin Kurti dhe deputetes Donika Kadaj-Bujupi në seancën gjyqësore e cila është mbajtur sot.

Njoftimi i plotë:

“Gjykata Themelore në Prishtinë, më datë 13.10.2017 i ka referuar urdhëresën e përsëritur Policisë së Kosovës për sjelljen me detyrim të personave A. Kurti dhe D. Kadaj-Bujupi, në seancën gjyqësore të datës 22.11.2017 përpara orës 09:00 pasi që ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë penale.

Konform detyrimit ligjor, autorizimeve të saja si dhe përgjegjësisë për ta realizuar urdhëresën sipas përmbajtjes së saj, policia ka dërguar njësinë patrulluese në adresat e dhëna nga gjykata për të kontaktuar me personat në fjalë, por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre, si dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohen përmes formave të tjera të kontaktit.

Përkitazi me këtë, policia ka njoftuar gjykatën themelore për veprimet e saj dhe mos gjetjen e personave në adresat e tyre përpara fillimit të seancës.

Ndërlidhur me veprimet policore konfirmojmë se në asnjërin prej të dyja rasteve policia nuk ka rrethuar lokacione dhe nuk ka bastisur asnjë adresë banimi, andaj pretendimet e disa qarqeve informative për bastisje dhe rrethim të ndonjë vendbanimi janë të pavërteta dhe si të tilla mbesin në suazat e spekulimeve”.

Deputetët Albin  Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi është dashur që sot të jenë në seancë si të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Në mungesë të tyre është shtyrë seanca.

Të ngjashme