Policia ofron 10 mijë euro shpërblim për informacione për sulmin ndaj Kuvendit

Prishtinë | 05 Gus 2016 | 22:09 | Nga

Policia e Kosovës ofron shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo qytetar që jep informacione lidhur me personat që kanë kryer sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës u sulmua me predhë krahu në orët e vona të së enjtes. Deri më tani policia nuk ka arritur që të gjejë kryesit e këtij sulmi.

Policia ka ofruar numra kontaktues dhe apelon tek qytetarët që nëse kanë ndonjë informacion lidhur me sulmin ndaj Kuvendit, t’i drejtohen policisë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës ofron shpërblim 10.000 euro (dhjetëmijë euro) për cilindo që jep informacione lidhur me kryesit e sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës

Me datë 04.08.2016, rreth 23:05 në Prishtinë, rruga “Agim Ramadani”, ka ndodhë një sulm me mjet shpërthyes ndaj objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Policia si dëshmi që mund të nderlidhen me rastin ka gjet një mjet për hedhjen e predhave me të cilën dyshohet se është kryer sulmi, gjithashtu në rrugën “1 tetori” është gjet një motoçikletë e cila ishte duke u djegur si dhe shishe molotovi, që dyshohet se mund të jenë perdorur nga të dyshuarit.

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive në rast për të zbardhur këtë sulm dhe sjelljen para drejtësisë të kryesve të këtij sulmi sa më parë që të jetë e mundur.

Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejt të kryersve të këtij akti kriminal, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për rastin.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri sado të vogël rreth rastit t’a ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit të këtij akti dhe ofron një shpërblim prej 10.000 euro (dhjetëmijë euro) për cilindo qytetar i cili mund të jep informacion të cilat shpien në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këto numra telefoni dhe e-mail adrese:

Tel:080019999 ose 192
e-mail:[email protected]

Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, dhe policia do ta ruaj striktë të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit në këta numra telefoni dhe në këtë e-mail adresë, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe.

Të ngjashme