Policia shpall konkurs për pranimin e zyrtarëve të rinj policorë

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit. Sipas njoftimit thuhet se aplikimi për zyrtar policor bëhet online.

Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë përmes ueb faqes zyrtare të Policisë së Kosovës: www.kosovopolice.com nga data 28.10.2021 deri me datën 16.11.2021.

Kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës duhet t’i përmbushin këto kritere:

a) Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
b) Të jetë i moshës 18-30 vjeçar;
c) Të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm;
d) Të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale;
e) Të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale;
f) Të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar);
g) Të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.

Pas përzgjedhjes se aplikacioneve kandidatët e suksesshëm do të ftohen të marrin pjesë në kryerjen e disa testimeve siç janë:

a) Testi me shkrim;
b) Testi i aftësive fizike;
c) Intervista;
d) Testi psikologjik;
e) Kontrollimi mjekësor;
f) Verifikimi i të kaluarës

Në këtë konkurs Policia e Kosovës do të ndërmerr masa të veçanta të përkohshme afirmative me qëllim të garantimit të të drejtave të barabarta gjinore, promovimit të barazisë gjinore dhe me qëllim të rritjes së përfaqësimit të zyrtareve policore gra në Policinë e Kosovës.

Masat e veçanta të përkohshme afirmative që do të ndërmerr Policia e Kosovës do të zbatohen në procedurën e rekrutimit dhe punësimit në Policinë e Kosovës, në mënyrë që gjatë procesit të rekrutimit të zyrtarëve policorë nga të gjithë ata kandidatë që do të plotësojnë kushtet dhe kalojnë pragun e kalueshmërisë 70% përparësi do të këtë gjinia femërore. /Telegrafi/

Të ngjashme