Policisë së Kosovës buxheti i rritet më pak se 1%

Prishtinë | 07 Nën 2018 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Më 2019 rritje të buxhetit do të ketë më shumë për Zyrën e Presidentit dhe Zyrën e Kryeministrit sesa për Policinë e Kosovës.

Kështu është paraparë me draft-buxhetin për vitin 2019, që u miratua para disa ditësh në Qeveri.

Ky draft-buxhet i ka rritur buxhetin Policisë së Kosovës vetëm për 731 mijë e 953 euro më shumë se sa në vitin aktual. Kjo rritje është më pak se 1% për qind krahasuar me buxhetin e vitit 2018, raporton kallxo.com.

Buxheti i vitit 2018 për Policinë e Kosovës ishte 95 milionë e 345 mijë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm është paraparë të jetë mbi 96 milionë e 77 mijë euro.

Sipas këtij projekt-buxheti, Policia e Kosovës numëron 9 mijë e 149 persona të punësuar, në krahasim me Qeverinë e Kosovës që ka të punësuar rreth 600 dhe Zyrës së Presidentit që ka 87 të punësuar.

Rritja e buxhetit të Policisë së Kosovës vërehet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve. Në këtë kategori është paraparë rritje rreth 270 mijë euro.

Rritje prej 100 mijë eurove është paraparë të ketë edhe në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, raporton KALLXO.com.

Ndërsa në kategorinë e shpenzimeve kapitale Policisë së Kosovës i është rritur buxheti për rreth 362 mijë euro.

Ndërsa për dy vitet e ardhshme, 2020 dhe 2021, është paraparë që buxheti të rritet në 98 milionë e 178 mijë euro apo rreth 4 milionë euro më shumë sesa këtë vit.

Rritja e paraparë e buxhetit të Policisë së Kosovës është më e vogël në vlerë monetare krahasuar me rritjen për Zyrën e Presidentit dhe Zyrën e Kryeministrit.

KALLXO.com ka raportuar se Zyrës së Presidentit është paraparë t’i rritet buxheti për 900 mijë euro.

Ndërsa për Zyrën e Kryeministrit është paraparë rritje për rreth 1.8 milion euro.

Buxheti i përgjithshëm i vendit i paraparë për vitin 2019 pritet të jetë 2.365 miliardë euro që paraqet një rritje prej 12% në krahasim me buxhetin e 2018-tës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme