Politikanët po “ndotin” shkollat – hidhërohen prindër e mësues

Prishtinë | 08 Shk 2021 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Bërja e fushatave në ambiente shkollore, po kundërshtohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, të cilët po e cilësojnë si negative pasi po vlerësojnë se do të ndikojë në rritjen e numrit të rasteve me COVID-19.

“Na e kem pa kur janë ndërpre shkollat, kishte rënie të numrit të të infektuarve, që do të thotë se shkollat janë bartëse të mëdha si shkak i frekuentimit të shumtë”, tha Ymer Ymeri, nga kjo sindikatë.

Tubime të tilla që nga hapja zyrtare e fushatës kanë bërë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Këto tubime në kohë pandemie po kundërshtohen fuqishëm nga Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës,Ymer Reshiti.

“Shprehim shqetësimet tona se fushata ka filluar të bëhet edhe në shkolla dhe qëndrimi ynë është që mos të përfshihen në politikë shkollat dhe nxënësit”, tha ai.

Ndërsa nga Ministria e Arsimit në përgjigjen e dërguar Klan Kosovës, kanë thënë se ekziston një udhëzim administrativ i cili lejon aktivitetet politike në objekte të institucioneve publiko edukativo-arsimore, Por sipas tyre, me qëllim që kjo gjë të ndodhë pas përfundimit të orarit të mësimit.

Ky udhëzim ka hyrë në fuqi në vitin 2009, në atë kohë Ministër i Arsimit ka qenë Enver Hoxhaj, aktualisht kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme