Posta lanson pullën postare me Wooldrow Wilsonin

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 10:30 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 100-vjetorit të Konferencës së Paqes në Paris, Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim pullën postare “100 vjetori i mbrojtjes së trojeve shqiptare – Wooldrow Wilson”dedikuar mikut të madh të kombit shqiptar presidentit 28-të të SHBA-ve, Woodrow Wilson, për  kontributin vendimtar në mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi i mëtejmë.

Tentimet për ndarjen e trojeve shqiptare u intensifikuan edhe pas “Konferencës së Londrës”.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës me angazhimin dhe urtësinë e presidentit Wilson i dhanë fund kësaj fushate të egër antishqiptare në “Konferencën e Paqes” në Paris më 1919.

Këtë vit shënojmë 100 vjetorin e miqësisë, mirënjohjes dhe falënderimit tonë për përkrahjen jetike nga SHBA-të, prandaj nuk është e rastit që pulla postare do të bartë me krenari portretin e Woodrow Wilson, mikut të madh të shqiptarëve.

Wilson u lind me 28 dhjetor 1856, në Staunton të Virginias në SHBA. Ishte një nga presidentët më të mëdhenj të SHBA-ve, që udhëhoqi shtetin në periudhën 1913-1921. Ai u angazhua për vendosjen e paqes në botë,  për mbrojtjen e të drejtave të popujve të vegjël deri në vetëvendosje.  Ishte Iniciuesi i themelimit të Ligës së Kombeve.

Presidenti Wilson vdiq më 3 shkurt 1924, në Washington D.C.

Për aktivitetin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tij për një botë më të mirë dhe më të sigurt, në vitin 1919, u nderua me çmimin Nobel për paqe.

Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të nderoj personalitete të shquara botërore, miq të kombit shqiptar.

Të ngjashme