Posta promovon dy pulla postare me imazhet e eprorëve të UÇK-së, Bekim Berisha dhe Bedri Shala

Prishtinë | 09 Gus 2018 | 11:34 | Nga Tirana Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në 20-vjetorin e rënies së dy prej eprorëve më të shquar të UÇK-së, Bekim Berisha dhe Bedri Shala, Posta e Kosovës ka promovuar dy pulla postare me imazhet e tyre.

Kryeshefi i postës, Sejdi Hoxha, u shpreh krenar për promovimin e dy pullave postare për këta dy heronj të kombit dhe tha se me këto pulla postare po rritet edhe vlera e Postës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Jemi krenarë që po promovojmë dy pulla postare shumë të çmueshme për dy heronjtë e kombit, Bekim Berisha-Abeu dhe Bedri Shala. Me rastin e 20-vjetorit të rënies po shprehim respekt, po nderojmë familjarët, por edhe njëkohësisht po rritet vlera e filatelisë së Postës së Kosovës”.

“Bekim Berisha dhe Bedri Shala ishin dy prej eprorët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi ai .

Ai po ashtu tha se shtëpitë e këtyre dëshmorëve ishin çerdhe e UÇK-së.

“Shtëpia e Bedri Shalës dhe vëllezërve të tij ishte çerdhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ai falënderoi fëmijët e dëshmorëve dhe tha se përherë do të jenë të nderuar nga Posta.

Motra e Bekim Berishës falënderoi të gjithë ata që punuan për këto pulla postare, raporton EO.

“Përshëndes të gjithë stafin e postës dhe të gjithë ata që janë munduar me ba këtë për dëshmorë dhe ju falënderoj shumë”.

Përfaqësuesi i Familjes Bedri Shala po ashtu shprehu falënderimet për të gjithë ata që mundësuan që këto pulla postare të jenë kujtim për brezat e ardhshëm.

“Falënderoj të gjithë ata që mundësuan që figurat e tyre të skaliten dhe të jetë kujtim me motiv për brezat e ardhshëm”.

Ai tha se kjo është ditë e dhimbjes, por ditën e dhimbjes e shuan krenaria, raporton EO.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përgëzoi shefin dhe punonjësit e postës që këto pulla postare po promovohen në 20-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe tha se këto pulla postare kanë rëndësi të veçantë dhe do të jetojnë për shumë vjet.

“Derdhja e figurave të dy heronjve në pullën postare të postës së Kosovës ka një rëndësi të veçantë dhe këto pulla do të jetojnë për shumë vjet dhe do të lëvizin në të gjithë botën dhe do t’i dërgojmë  në të gjitha ato vende ku nuk na kanë pranu vendet, si Rusia dhe Serbia”.

Në fund pllakatat e pullave postare iu dhuruan familjarëve të dëshmorëve dhe kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Qe nga nesër këto pulla postare do të jenë në zyrat e postës së Kosovës.

Të ngjashme