Pranojnë fajësinë të akuzuarit që e kishin rrahur një person në fitnes, njëri nga ta deklarohet fajtor edhe për armëmbajtje pa leje

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Tre të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Besim Tahiri, Ali Emini dhe Ardian Tahiri, të hënën janë deklaruar fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, Besim Tahiri është deklaruar fajtor edhe për armëmbajtje pa leje.

Të tre këta, po akuzohen se më 22 shkurt 2021, në hapësirën e Arena Fitnes Club në Gjilan, në bashkëveprim e kishin lënduar lehtë tani të dëmtuarin Flamur Gërbavci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Shaban Spahiu, tre të akuzuarit deklaruan se e pranojnë fajësinë për veprën penale që akuza ua vë në barrë.

Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarve nuk u kundërshtua nga prokurori dhe pastaj u aprovua edhe nga gjykatësi Naser Maliqi.

Ky i fundit tha se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 25 maj 2021, nga ora 13:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 16 mars 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Besim Tahirit, sepse i njëjti në kohë të papërcaktuar e deri më 22 shkurt 2021, ka siguruar dhe mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar armën e zjarrtë, revolen e markës “SIG”, të kalibrit 9 mm dhe tetë fishekë të të njëjtit kalibër, të cilat me datën e sipër shënuar i janë gjetur dhe i janë konfiskuar përkohësisht nga ana e policisë së Kosovës.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, të pandehurit Besim Tahiri, Ali Selimi dhe Ardian Tahiri më 22 shkurt 2021, rreth orës 17:20 minuta, në hapësirën e Arena Fittnes Club, në rrugën “Adem Jashari”, në Gjilan, në bashkëveprim, kanë lënduar lehtë tani të dëmtuarin Flamur Gërbavci nga Gjilani në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Ali Selimi e ka filluar një konflikt verbal me të dëmtuarin, rreth blerjes së një prone, e pastaj të dëmtuarin e kap me duar i pandehuri Besim Tahiri, duke e shtyrë, e pastaj duke e goditur dy herë me grushte dore në fytyrë dhe hundë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në ato çaste të dëmtuarin e godet edhe i pandehuri Ali me grushte dore dhe në momentin kur i dëmtuari tenton t’i thërras policinë me telefon, ndërhyn edhe i pandehuri Ardian, fillimisht duke mos e lejuar ta bëjë këtë e pastaj edhe ky i pandehur e godet  me  duar dy herë në nofull dhe fytyrë të dëmtuarin.

Sipas akuzës, kur i dëmtuari fillon të veprojë në vetëmbrojtje, tre të pandehurit bashkërisht e godasin atë me grushte dore dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke e rrëzuar në tokë dhe pasi intervenojnë persona të tjerë, të pandehurit largohen kurse i dëmtuari nga Policia e Kosovës dërgohet për trajtim mjekësor në spitalin e Gjilanit.

Në aktakuzë thuhet se nga sulmet që i kanë bërë të pandehurit, të dëmtuarit i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin dhe atë ndrydhje e indeve të buta të kokës në regjionin ballor dhe të fytyrës si dhe një plagë gërvishtëse në regjionin mbi hundë, ënjtje dhe mavijosje në regjionin e hundës, skuqje në pjesën e pasme të qafës dhe shpatullës së krahut të majtë dhe thyerje e dyshuar e hundës.

Me këto veprime, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme