Pranon fajësinë se falsifikoi 137 vota, aktgjykimi shpallet më 5 shtator

Prishtinë | 02 Sht 2022 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Burim Strana e ka pranuar fajin të premten se ka falsifikuar 137 vota në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Deklarimi i Stranës është bërë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ku është mbajtur shqyrtimi fillestar derisa aktgjykimi për këtë rast pritet të shpallet, të hënën, më 5 shtator.

I akuzuari ka thënë se ndjen keqardhje për rastin dhe se nuk ka pasur qëllim të dëmtojë askënd, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin prokurori i shtetit Ismet Ujkani, i akuzuari Burim Strana dhe mbrojtësi i tij, avokati Berat Peci.

Prokurori Ujkani i propozoi gjykatës që të pranojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit pasi që ky deklarim është bërë në mënyrë vullnetare dhe në përputhje me shkresat e lëndës, si formularët e rezultateve të votimit, në vendvotimin si në aktin akuzues prej nga rezulton se i pandehuri si kryesues i këshillit të vendvotimit ka kryer veprën penale si në aktakuzë.

Tutje, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Strana, avokati Berat Peci i propozoi gjykatës që të pranojë pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij, duke shtuar se ky pranim është rezultat i konsultimit të mjaftueshëm me të njëjtin si për rrethanat lehtësuese ashtu edhe për ato rënduese.

Tutje, gjyqtari i rastit Avni Mehmeti aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Kurse, me rastin e matjes së lartësisë së dënimit prokurori Ujkani i propozoi gjyqtarit Mehmeti që të marrë parasysh rrethanat rënduese si shkalla e përgjegjësisë penale, se veprën penale i njëjti e ka kryer me dashje, dhe se këto vepra penale janë mjaft të shprehura me rastin e zgjedhjeve, ndërsa si rrethanë lehtësuese propozoi rrethanat familjare të të akuzuarit.

Ndërsa, avokati Peci i propozoi gjykatës që si rrethanë veçanërisht lehtësuese për matjen e lartësisë së dënimit të pranojë institutin e pranimit të fajësisë, faktin se është njeri familjar dhe se asnjëherë më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin.

Gjyqtari Mehmeti konstatoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 5 shtator 2022, nga ora 11:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër Besim Shytit më 24 dhjetor 2022 për shkak se me datën 11 qershor 2017, në fshatin Broboniq, Komuna e Mitrovicës, në shkollën fillore “Sylejman Vokshi”, i pandehuri në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të Vendvotimit në Qendrën e Votimit 1129B, vendvotimi me nr. 1129B/02D, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare apo autoritetin zyrtar në lidhje me zgjedhjet ka shtuar dhe hequr vota.

Sipas aktakuzës, pas rinumërimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve është bërë krahasimi i të dhënave ku është identifikuar ndryshimi i votave, ashtu që gjatë numërimit të votave të kandidatëve brenda subjektit politik, ka hequr votat e disa kandidatëve dhe i ka shtuar të disa kandidatëve të tjerë duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 137 vota, ku prej tyre 131 vota të shtuara dhe 6 vota të hequra, ku ka shtuar 98 vota për PDK dhe 33 vota të LDK dhe ka hequr 1 votë PDK, 2 vota LDK dhe 3 vota LVV.

Me çka ka kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” nga neni 219 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Të ngjashme