Prej 2007, gjendja në liqenin e Badovcit më e keqja

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 19:32 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e reshjeve atmosferike dhe temperaturat e larta që kanë shoqëruar vendin gjatë kësaj kohe kanë bërë që niveli i ujit në Liqenin e Badovcit të bjerë ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Për qytetarët, kjo dukuri paraqet shqetësim duke pasur parasysh edhe mungesat me ujë të pijshëm.

Thonë se shkak për këtë është bërë pakujdesia e vetë qytetarëve, që kanë shfrytëzuar ujin për nevoja të tjera, si autolarje, ujitje etj, raporton KOHA.

Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina’’ thonë se situata e krijuar me pandeminë vetëm sa ka vështirësuar punën, por edhe është rritur dukshëm niveli i konsumit të ujit.

U.d. i kryeshefit ekzekutiv i kësaj kompanie, Sokol Xhafa, tha se duke u bazuar në shënimet e formatit digjital, që nga viti 2007 gjendja aktuale në liqenin e Badovcit është regjistruar si më e keqja.

Ai shton se zhvillimi i shpejtë i zonave urbane që furnizohen me ujë nga kjo pjesë ka rritur edhe kërkesën për shfrytëzim të ujit, gjë që, sipas tij, ka ndikuar në rënien e nivelit nga ky burim.

Xhafa tutje shtoi se situata aktualisht është duke u menaxhuar mirë shkak edhe i përdorimit ujit të pijes nga impianti në Shkabaj, duke mos pasur nevojë që edhe më tutje të futet në zbatim plani për menaxhimin e thatësirave.

Ndërkohë që, në mungesë të reshjeve atmosferike, nuk përjashtohet edhe mundësia e reduktimeve për ta kursyer ujin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme