Prenë ilegalisht 80 trungje të bungut në Viti, pranojnë fajësinë dy të akuzuarit

Prishtinë | 02 Nën 2021 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Të akuzuarit S.M dhe F.L pranuan fajësinë për akuzën se në pyllin e pronësisë shtetërore kanë prerë 80 copë trungje të bungut, me ç’rast kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 523 euro.

Këtë deklarim të akuzuarit e kanë bërë të martën, në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Rozelida Manastiri, të akuzuarit u deklaruan të fajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurorja Manastiri dhe më pas si i tillë u aprovua nga gjykatësja Drane Simani.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 3 nëntor 2021.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj S.M dhe F.L, të cilët ngarkohen se në bashkëveprim, si bashkekzekutor, kanë kryer dy vepra penale “Vjedhje pylli” nga neni 358, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në një vit.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, më 31 janar 2018, rreth orës 12:30, në fshatin Vërban të Komunës së Vitisë, me qëllim vjedhje janë marrë vesh në mes veti dhe me pas kanë shkuar në pyllin e pronësisë shtetërore, te vendi i quajtur “Te Sopat”, ku i kanë prerë 38 trungje të bungut me diametër në cung 11-13 cm, në lartësi të drurit 12.5 cm, gjatësi 6m, dhe vëllim të përgjithshëm prej 2.05m3, në vlerë prej gjithsej 263 euro. Të njëjtat më pas thuhet se i kanë bartur me traktor

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, të akuzuarit më 5 shkurt 2018, rreth orës 12:50 minuta, në fshatin Goshicë të Komunës së Vitisë, me qëllim vjedhje janë marrë vesh në mes veti dhe më pas kanë shkuar në pyllin e pronësisë shtetërore, te vendi i quajtur “Rreze”, ku i kanë prerë 42 trungje të bungut, me diametër në cung 11-13 cm, në lartësi të drurit 12.5 cm, gjatësi 6 m, dhe vëllim të përgjithshëm prej 2.17 m3, në vlerë prej gjithsej 290 euro. Të njëjtat më pas thuhet se i kanë bartur me traktor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këtë veprime, të pandehurit akuzohen se i kanë shkaktuar të dëmtuarës AKP-së, dega në Viti, dëm material në vlerë prej 523 euro.

Të ngjashme