Presidenti: Çështja e të pagjeturve duhet të ngrihet edhe në Bruksel

Prishtinë | 01 Mar 2017 | 10:31 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mbajtur takimin e dytë konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mjeteve të informimit për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Thaçi ka thënë që ka insistuar që çështja e të zhdukurve të ngritet edhe në Bruksel, raporton Ekonomia Online.

“Synimi i parë i Komisionit do të jetë e vërteta. E vërteta shëron shoqërinë nga urrejtja. Kjo nuk është zëvendësim i drejtësisë, puna e komisionit është që ta ndihmojë drejtësinë. E vërteta do të zbulohet për të gjithë”.

Presidenti Thaçi tha se shoqëria civile dhe mediat do të kenë rol thelbësor në këtë komision.

Sipas tij është etikë të dëgjohet edhe zëri i të dyja palëve. “Tmerret e luftës dhe dhembjet tona për të zhdukurit ende nuk janë zhdukur. Ndasitë dhe frika që ka shkaktuar lufta ende janë gjallë,armiqësitë që ka shkaktuar lufta ende janë gjallë”, ka thënë ai.

Thaçi ka deklaruar se pajtimi nuk mund të bëhet duke harruar të keqen që ka ndodhur.

“E vërteta dhe pajtimi nuk mund të arrihen me kushtëzime. Ky proces do të jetë ndihmues dhe lehtësues i marrëveshjeve të reja mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është zëvendësim për drejtësinë por ndihmesë për drejtësinë”.

Sipas tij Komisioni do të jetë apolitik dhe gjithëpërfshirës.

“Komisioni nuk do të jetë politik, komisioni të jetë i pavarur, të jetë transparent, të jetë gjithëpërfshirës, të jetë i përkushtuar që do t’i mbrojë viktimat dhe dëshmitarët”.

Thaçi tha se janë të vetëdijshëm që komisioni do të ketë edhe sfida.

Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të pagjeturve tha se shumë familjarë nuk e kanë kuptuar domethënien e këtij komisioni, duke shtuar  se qytetarët duhet të kuptojmë që ky komision është mirësi për të gjithë popullin që jetojnë në Kosovë, e aspak për ata që jetojnë jashtë Kosovës.

“Ne 18 vjet kemi rreh dyer që të zbardhim fatin e të pagjeturve , për t’i zbardhur viktimat që ka bërë Serbia në Kosovë,  ne nuk kemi mundur dhe ende nuk po mundemi dhe kemi shkuar edhe nëpër tjera shtete dhe kemi kërkuar që të shkojmë edhe në Bruksel dhe me siguri do të shkojmë mirëpo nuk po mundemi me gjet të vërtetën sepse nuk po dimë çka ka ndodhur , ne e dimë çka ka ndodhur, e dimë që na i kanë marrë, e dimë që janë edhe 1600 unë i kam tri gjenerata të djegura  të gjithë këto i dimë kush i ka bërë por të gjitha nuk i dimë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut tha se nëse ky komision duhet të formohet le të formohet, mirëpo nuk duhet të ketë kaq shumë konsultime. Sipas tij kërkim falja duhet të jetë e dyanshme pasi që nuk është e lig me pranu atë që ke bërë.

“Duke marrë parasysh rrethanat, kontekstin dhe perspektivën për mua është bukur vështirë me pranu këtë Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin. Pajtimi është problemi më i madh, sikurse të kishte qenë vetëm komisioni për të vërtetën kishte me qenë shumë më lehtë pastaj pajtimi është stacioni i fundit që i duhet këtij komisioni. Ju nuk mund të flitni për pajtim sepse nuk është asnjë parakusht që të flitet për pajtim megjithatë po them se pajtimi është më tepër se një shprehje gramatikore apo është ndoshta një formulim politik dhe asocim politik se sa diçka reale e cila do të ishte e pranueshme edhe do të kishte gjasa që të realizohet. Pajtimi vjen vetvetiu, aty nuk ka asnjë dyshim”, ka theksuar Shala.

Kurse, Milorad Trifunoviq nga Shoqata e të Zhdukurve Serbë, deklaroi se për formimin e këtij komisioni është dashur të bisedohet edhe më herët, duke thënë që as tani nuk është vonë të flitet për pajtim.

“Është më mirë të kemi 15 vite bisedime sesa pesë minuta luftë sepse për pesë minuta mund të zhduket komplet bota e sotme duke marrë parasysh që kemi edhe bomba atomike dhe mjete të ndryshme. Unë po ju lus të gjithë këtu që jeni të pranishëm që këto komisione të jenë edhe në nivel lokal”, ka shtuar ai.

Synimi i këtij komisioni është të krijohet një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur në mes komuniteteve në Kosovë për të kaluarën e dhimbshme dhe të krijohet një bazë e shëndoshë e pajtimit. Takimi i parë konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin është mbajtur më 13 shkurt të këtij viti.

Të ngjashme