Presidenti Thaçi dekretoi 53 gjyqtarë të rinj

Prishtinë | 31 Kor 2017 | 15:02 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar sot emërimin e 53 gjyqtarëve të rinj, të cilët u tha se do të jenë gardianë të së drejtës për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Pesëdhjetetre gjyqtarët e rinj kanë bërë betimin dhe janë zotuar që do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka theksuar se Republika e Kosovës përgjatë viteve të fundit ka bërë dhe po bën reforma në vazhdimësi, me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor të funksionojë sa më mirë.

“Të dashur gjyqtarë, në supet tuaja është një përgjegjësi e madhe, përgjegjësi që unë kam besim të plotë se do të dini ta mbani dhe qytetarët e vendit tonë të ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit”, ka shtuar ai.

Presidenti ka thënë se në Republikën e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, ka filluar një jetë e re, jetë me plotë dinamizëm dhe zhvillim, në të gjitha fushat, prandaj na duhet një punë e palodhshme, në veçanti në fushën e drejtësisë.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë punuar në plotësimin e legjislacionit që do të bëjë më të lehtë punën e gjyqtarëve.

“Të gjithë duhet të jemi të angazhuar për respektimin e rendit juridik dhe kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës, më qëllim të ecjes përpara dhe që të jemi krah-për-krah me vendet e zhvilluara e demokratike”, ka thënë presidenti.

Ndërsa  Kryesuesi I Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi tha se institucionet e drejtësisë kanë nevojë për gjyqtarët që janë betuar në mënyrë që të rrisin besimin  e publikut për gjyqësorin.

“Besoj që po flas në emër të disa institucioneve të drejtësisë këtu kur them se ne kemi nevojë për ju, kemi nevojë që t`i pasurojmë gjykatat tona  në mënyrë që të gjithë të ecim në një hap të përbashkët përpara, hap ky që nuk duhet të përfshijë vetëm ambiciet ndaj proceseve integruese por të rrisë besimin e publikut në performancat e gjyqësorit në vend”, tha Idrizi.

Në fund, 53 gjyqtarë të rinj kanë bërë betimin, me zotimin për të mbrojtur ligjet e Republikës së Kosovës.

Teksti i betimit:

Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës si gjyqtar i Republikës së Kosovës do t’i qëndroj besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do të ushtroj funksionin e gjyqtarit me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”.

Të ngjashme