Presidentit i kërkohet të mos e dekretojë Safet Hoxhën në Kushtetuese, ishte militant i PDK-së

Prishtinë | 25 Kor 2018 | 18:55 | Nga

Kuvendi i Kosovës, e ka votuar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese Safet Hoxhën, i cili ka të kaluar politike si militant i PDK’së. Për këtë, Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, ka shprehur pakënaqësi, madje ka shkruar një letër të hapur dhe ka kërkuar nga Presidenti Hashim Thaçi të mos e dekretojë Hoxhën, pasi kështu Kushtetuesja nuk do të ketë besimin e qytetarëve për vendimet që do t’i marrë nëse ka gjyqtarë me të kaluar politike.Që nga data 6 korrik e këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka votuar tre anëtarët e ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilët presin dekretimin nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Anëtarët e votuar për Gjykatën Kushtetuese janë: Remzije Istrefi-Peci, Nexhmi Rexhepi dhe Safet Hoxha.

Ndërsa ky i fundit, përveçse ka qenë Këshilltar Komunal i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Suharekës, ai gjithashtu kishte marrë pjesë në tubimet politike të kësaj partie në Komunën e Suharekës, të cilën e kishte konfirmuar edhe ai vetë.

Për më tepër, në zgjedhjet e përgjithshme për Këshill Drejtues të PDK-së në vitin 2013, Safet Hoxha edhe ishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të Përgjithshëm të PDK-së. Arton Demhasaj nga Çohu, ka thënë për Gazetën Express se përkundër kërkesës së tyre që Presidenti të mos e dekretojë Safet Hoxhën, ata nuk kanë marrë ende ndonjë përgjigje.

Ai thotë se presin që Presidenti të reflektojë dhe të ndalohet kjo praktikë që në Gjykatën Kushtetuese të emërohen gjyqtarë që kanë pasur të kaluar politike, pasi emërimi i tyre e zbeh besimin e qytetarëve ndaj Kushtetueses.

“Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Presidenca, apo ndonjë informatë a është dekretuar apo jo. Do të presim një reflektim për këtë rast, për shkak se nëse vazhdohet praktika që në Gjykatën Kushtetuese të emërohen gjyqtarë që kanë pasë të kaluar politike, atëherë në vazhdimësi mund të presim që vendimet që ata i japin të mos jenë kredibile, për shkak se munden me qenë ndikuar nga partitë politike që munden me rrjedhë ata”, ka thënë Demhasaj.

Ai po ashtu është shprehur se në bazë të heshtjes nga Presidenca, kjo bën të kuptohet se kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh. “Heshtja e tillë po tregon që nuk është marrë parasysh kërkesa jonë, se përndryshe ndoshta deri tani do të kishim marrë ndonjë përgjigje”, ka thënë tutje Demhasaj.

Zgjedhjen e Hoxhës për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Demhasaj e ka quajtur gabim të Kuvendit, sepse aty është votuar. Por ky “gabim” do të mund të përmirësohet vetëm nëse Presidenti nuk do ta dekretojë atë dhe të kërkojë nga Kuvendi që të nisë procedurë të re për anëtar të ri dhe të kërkojë procedurë për zgjedhjen e dikujt tjetër.

“Ky është gabim i Kuvendit të Kosovës sepse aty është votuar. Por Presidenti ka mundësi mos me e dekretu, me e kthy në kuvend me kërku prej kuvendit me nisë procedurë të re për anëtarin e ri për Gjykatë Kushtetuese ka mundësi me kërku një procedurë të re për zgjedhjen e dikujt tjetër”, ka theksuar Demhasaj

Krahas kërkesës që Hoxha mos të dekretohet, “Çohu” ka kërkuar nga Kuvendi që të ndryshohet pjesa e Kushtetutës e cila i përcakton kriteret që duhet t’i kenë kandidatët për gjyqtarë në Kushtetuese, por nuk kanë marrë ndonjë përgjigje as për këtë.

Demhasaj thotë se nëse Presidenti e dekreton Safet Hoxhën, atëherë nuk ka asnjë rrugë ligjore për ta ndryshuar këtë, dhe se kjo do të çonte në ulje të besueshmërisë së vendimeve të kësaj gjykate, sepse fakti që Hoxha ka të kaluar politike tregon se nuk mund të ketë besim në marrjen e vendimeve nga ana e tij.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka mbetur pa kuorum që nga data 15 qershor, për shkak të përfundimit të mandatit të dy gjyqtarëve të saj, ndërsa Kuvendi i Kosovës kishte dështuar t’i zgjidhte gjyqtarët e rinj në konkursin e publikuar në muajin mars

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme