Presidentja Osmani prezanton potencialin ekonomik të Kosovës para përfaqësuesve të bizneseve zvicerane

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Zvicrës ku ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës para rreth 1500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane.

Osmani ka thënë se në fjalimin e saj ka theksuar mundësitë e shumta për investime në Kosovë.

“Përpara rreth 1500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane prezantova sot potencialin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe theksova mundësitë e shumta për investime në vendin tonë, si e ftuar e Forumit Ekonomik të Zvicrës”, ka thënë ajo.

Në mesin e arsyeve për investim në Kosovë ajo ka përmendur potencial e rinisë dhe sukeset e tyre, ndër të tjera.

“Në mesin e arsyeve të shumta për të investuar në Kosovë, përmenda një fuqi punëtore të përgatitur, potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve tanë dhe sukseset e tyre, legjislacionin e bashkërenduar me atë të BE-së, mbrojtjen që i ofrohet investitorëve të huaj dhe shumë arsye të tjera që e bëjnë Kosovën vendin ideal për të investuar”, shkruan Osmani në Facebook.

Ajo thotë se interesimi i të pranishmëve për Kosovën u vërejt dhe tani thotë se duhet të punohet për shndërrimin e këtij interesimi në investime konkrete.

“Interesimi i bizneseve e investitorëve për Kosovën u vërejt shumë qartë. Ne na mbetet të punojmë fort e të sigurohemi që interesimi i tyre të shndërrohet në investime të suksesshme në vendin tonë”, shtoi ajo.

Të ngjashme