Presidentja Osmani viziton qytetarët e helmuar në Deçan dhe takon kryetarin Ramosaj

Deçan | 13 Kor 2021 | 15:41 | Nga Fitore Berisha

Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, pas situatës së krijuar ku rreth 1 mijë e 500 persona kanë kërkuar ndihmë në këtë QKMF, raporton Ekonomia Online.

Së bashku me të janë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe kryetari i Kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Helmimi i qindra qytetarëve në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë, nga dita e shtunë e deri më sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë shëndetësore rreth 1 mijë pacientë, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga “Hidrodrini”, derisa të përcaktohet shkaku i helmimit.

Të ngjashme