Prezantohet Masterplani për zgjerimin e rrjetit të “Termokosit” në Prishtinë

Prishtinë | 01 Shk 2018 | 17:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka prezantuar sot masterplanin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes së “Termokosit” në Prishtinë. Ky masterplan është financuar nga Qeveria e Gjermanisë, përmes “KfW”-së, ndërsa është hartuar nga “Termokosi” dhe Komuna e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Nga ky zgjerim do të përfitojnë Qendra në Lindje të Prishtinës, “Tophania”, “Arbëria” si dhe “Mati” në pjesën qendrore dhe veriore. Kostoja e këtij zgjerimi është 17 milionë euro.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se projekti i koogjenerimit është projekti më i rëndësishëm që ka ndodhur në kryeqytet.

“Me këtë projekt, qysh thojnë kemi vrarë disa zogj me një gur, sepse kostoja e ngrohjes ka rënë në mënyrë drastike, që do të thotë se çmimi i mazutit nuk është më bazë për koston. Natyrisht, duhet ta kthejmë një pjesë të kredisë, por ajo që ka ndodhur është që qytetarët tashmë paguajnë shumë më me rregull ngrohjen për shkak se kanë ngrohje cilësore”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, e vlerësoi këtë projekt si shumë të rëndësishëm. “Ky projekt natyrisht duhet të shihet në një gamë më të gjerë të përmirësimit në fushën e energjisë. Të gjithë e dimë që energjia është kyç për zhvillimin ekonomik dhe në të kaluarën janë paraqitur disa pengesa të cilat jemi duke u munduar t’i tejkalojmë”.

Përfaqësuesi i “KfW” tha investimet tjera do të bazohen në parimin e emetimit të CO2. “Në bazë të saj ulet CO2 dhe ndotja e ajrit, me efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së ajrit”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se për ajrin e ndotur qytetarët presin zgjidhje afatshkurtër, por sipas tij, masat afatmesme dhe afatgjate kanë më së shumti ndikim në përmirësim të gjendjes.

Përmes fazës së parë të kogjenerimit, që ka filluar në vitin 2014, janë përfshirë 63 000 konsumatorë. Rezultati konkret ishte ngrohje 24/7 gjatë gjithë sezonit dimëror; gjenerim mbi 660 GWh për tri vite; ulje të emetimeve me CO2 prej mbi 90 000 ton në vit; ngritje të faturimit dhe inkasimit; reduktim të humbjeve të ngrohjes e ujit, theksojnë zyrtarët komunalë.

Të ngjashme