Prezantohet raporti për politikat gjinore në OJQ dhe sektorin privat

Prishtinë | 16 Qer 2017 | 11:29 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sektori privat dhe shoqëria civile vazhdojnë të mos zbatojnë kërkesat ligjore që dalin nga legjislacioni vendor, përkatësisht dispozitat e Ligjit të Punës, Ligjit për Barazi Gjinore edhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi edhe përkundër që Kushtetuta e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë dhe ligjet e rregullojnë çështjen e mbrojtjes nga diskriminimi, barazinë gjinore dhe politikat gjinore.

Për këtë qendra për studime gjinore ka prezantuar raportin e hulumtimit “Politikat gjinore në shoqërinë civile dhe sektorin privat” në mënyrë që të ofrohet pasqyrë e gjendjes aktuale të përfaqësimit gjinor në shoqërinë civile dhe në sektorin privat, raporton Ekonomia Online.

Lavdi Zymberi gjatë prezantimit të raportit tha se tri çështjet serioze me të cilat të anketuarit ballafaqohen në vendin e punës ishin sigurimi shëndetësor, paga dhe kohëzgjatja e kontratës.

“72.5 për qind e të anketuarve kanë thënë se merret parasysh parimi i barazisë gjinore dhe mosdiskriminimi në baza gjinore në kriteret dhe procedurat për punësim dhe përzgjedhje të stafit të organizatës apo kompanisë”, tha ajo.

Kushtrim Kaloshi drejtor ekzekutiv në organizatë ATRC tha dokumenti që publikohet sot ka qenë një dokument që i mungon sektorit joqeveritar në Kosovë dhe mungesa shihet në situata kur mungojnë të dhënat.

“Ka pasur të dhëna që nuk kanë qenë të verifikuara. Shoqëria civile duhet të jap shembull institucioneve publike se ne vet i respektojmë të drejtat gjinore. Kam gjetur në këtë raport një situatë pak a shumë të ngjashme. Situata nuk është keq dhe është më mirë se që ka qenë”, tha Kaloshi.

“E rëndësishme ka qenë harmonizimi i të gjeturave në raport me situatën aktuale në terren. Nëse krahasohen periudhat e më hershme ne shpesh shohim konkurse që respektojnë barazinë gjinore brenda organizatave joqeveritare”, theksoi ai.

Kaloshi shtoi se OJQ-të duhet të jenë model për institucionet publike, sepse “për t’i kritikuar ata ne vet duhet të respektojmë barazinë gjinore”.

“Këto të gjetura do ti shërbejnë të gjithëve që të dinë se ku ta vënë theksin në të ardhmen. Shoqëria civile ka një rol që është garantuesi i zbatimit të ligjeve në Kosovë dhe në këtë rast roli jonë është që kjo e thënë të gjejë respektim në praktikë”, tha Kaloshi.

Pyetësori është plotësuar nga 120 përfaqësues nga sektori privat dhe shoqëria civile.

Të ngjashme