Prishtina do të bëhet me ngrohje qendrore solare, qymyri do të zëvendësohet me energji të ripërtërishme diellore

Prishtinë | 06 Nën 2019 | 11:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banka Gjermane për Rindërtim KfW dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim  në bashkëpunim me ndërmarrjen Termokos dhe Komunën e Prishtinës kanë prezantuar rezultatet e studimit të parafizibilitetit për projektin solar për ngrohjen qendrore solare në komunën e  Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Ky projekt do të shtojë kapacitetet e Termokosit për të zgjeruar rrjetin në lagjet me banim individual si Tophane, Arbëri e Medrese.

Ajo që është më e rëndësishmja e këtij projekti është zëvendësimi i qymyrit  me energji të ripërtërishme diellore.

Ky projekt synon që brenda 3-5 viteve të ardhshme ta zgjeroj rrjetin përtej projektit të kogjenerimit e që po bëhet edhe në lagjen Kalabri,  Mati 1 dhe Qendër.

Projekti do të financohet nga KfW, BERZH, grante të donatorëve e financim të Komunës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se Termoksi është një prej projekteve më me ndikim tek qytetarët e Prishtinës derisa përmendi se në këtë drejtim energjinë elektrike po e kthejnë në energji termike.

“ Termokosi është një prej projekteve më me impakt tek qytetarët e Prishtinës. Jo më larg se diku rreth 5 vjetëve ngrohja ka qenë me mazut prej kohës kur është ndërtuar Termokosi çmimi është gjashtëfishuar. Në vitin 2013 kishim ngrohje 4 orë në ditë për shkak të çmimit dhe qytetarët nuk i paguan faturat për shkak të çmimit të shtrenjtë. Energjinë elektrike po e kthejmë në energji termike. Sot çmimi i ngrohjes qendrore është rreth 79 cent plus TVSH, dmth një qytetarë paguan përafërsish rreth 40 euro në muaj dhe kanë ngrohje cilësore. Prej vitit 2015 Komuna e Prishtinës nuk e ka subvencionuar Termokosin”, tha Ahmeti, raporton EO.

Ai tha se ky do të jetë ndër tri projektet më të mëdha të këtij lloji në Evropë.

“Tash e kemi një problem tjetër kur ia rregullon ngrohjen e 600 mijë banorëve tani kemi kërkesa të lagjeve që nuk janë të kyçura në Termokos. Në vitin 2019 Prishtina po diskuton që ta ketë ngrohjen qendrore. Janë disa lagje që ngrohen me qymyr dhe tu thuash se do ta ndalojmë nuk e zgjedhim problemin sepse është çmimi më i lirë, reforma më e mirë është ta ndalim përdorimin e qymyrit dhe tu ofrojmë ngrohje qendrore”, tha Ahmeti.

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, tha se Termokosi me këtë projekt po shënon në sukses të madh në sektorin e energjisë.

“Jam i lumtur për sukseset e arritura. Termkosoi ka shënuar një sukses. Përgëzime për komunën e Prishtinës për punën e bërë. Termokosi po bën ndryshime për qytetarët e saj. Sektori i energjisë është i rëndësishëm dhe ju po jepni sinjale të mira në përmirësimin e gjendjes. Termokosi është një indikator i rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes me ngrohje qendrore. Njerëzit mund të investojnë më shumë në energji ngase kjo është për të mirën e tyre”, tha ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Arsim Fetahu, tha se me këtë projekt të kogjenerimit po mundësohet furnizimi i qytetarëve me ngrohje stabile të rregull dhe një jetë më e mirë për ta.

“Historia e re e Termokosit po fillon me projektin e kogjenerimit. Ky projekt ka qenë e pamundur të realizohet pa ndihmën e donatorëve. Me këtë projekt është mundësuar furnizimi i qytetarëve me ngrohje stabile të rregull dhe një jetë më e mirë për ta. Qeveria gjermane, suedeze, ajo e  Luksemburgut e Bashkimi Evropian kanë mundësuar këtë projekt. Çdo projekt nga ne deri më tani ka qenë të suksesshme dhe besoj që edhe ky projekt do të arrijë suksese”, tha Janova, raporton EO.

Neil Taylor nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, tha se kjo është mundësi e mirë për përmirësimin e gjendjes në sektorin e energjisë.

“Ky projekt na jep një mundësi që ta përmirësojmë gjendjen në sektorin e energjisë. Është arritur progres në këtë drejtim. Ky është projekt i ri që po prezantojmë dhe na tregon si ta shpenzojmë energjinë. Falënderoj partnerët tanë për mbështetje”.

Rene Eschemann nga Banka gjermane për Zhvillim, tha se ky është investim i madh në përmirësimin e jetës së qytetarëve në furnizim me ngrohje.

“ Kogjenerimi ka qenë punë që është dashur të bëhet. Ne sot e kemi bërë një hap shumë të madh. Këtë herë ne kemi një investim të madh në sektorin e furnizimit me ngrohje. Ne kemi arritur efektin, do të duhet punë ende”.

Të ngjashme