Prishtina e Mitrovica vonojnë pagesat për qytetarët me Covid-19

Prishtinë | 08 Pri 2021 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Shumë komuna të vendit kanë vendosën t’i mbështesin financiarisht qytetarët e prekur nga COVID-19. Por qytetarët e disa prej tyre ka javë që nuk janë subvencionuar nga komunat. Në Prishtinë thonë se vonesat janë bërë shkaku i procedurave me bartjen e buxhetit, kurse në Mitrovicë arsyetohen me miratimin e vonshëm të buxhetit nga Kuvendi Komunal.
Tash e një muaj nuk është bërë asnjë pagesë për banorët e Prishtinës të infektuar me COVID-19.

Vonesat në subvencionimin e këtyre qytetarëve, Komuna i arsyeton me procedurat e bartjes së buxhetit të mbetur nga viti i kaluar në vitin aktual.

Nënkryetari i kryeqytetit, Muhedin Nushi, pret që kryerja e pagesave të vazhdojë brenda 10 ditëve, pasi Thesari i Shtetit të përfundojë procedurat e nevojshme.

“Prandaj duhet të presim sepse jemi afruar shumë, duhet të presim besoj brenda 10 ditësh edhe thesari përfundon komplet pjesën e vet të alokimit të mjeteve të buxhetit të vitit të kaluar 2020 dhe mandej fillojmë me pagesat, qoftë për qytetarët e infektuar me COVID-19, qoftë për bizneset sepse edhe për biznese e kemi procedurën e njëjtë”, ka thënë Nushi.

Nga 23 mijë e 591 aplikime, deri më tani Komuna ka rimbursuar 9 mijë e 754 qytetarë, me shumat 50 dhe 100 euro.

Gjatë janarit e deri më 22 shkurt pagesat janë bërë nga të hyrat vetjake të Komunës por, sipas Nushit, aktualisht nuk ka më mjete të mjaftueshme në këtë kategori.

Por Ministria e Financave ka thënë për KOHËN se në adresë të saj nuk ka arritur shkresë prej asnjë institucioni për të proceduar tutje.

“Sa i përket çështjes në fjalë, që ka deklaruar Komuna në Ministri të Financave nuk kemi kurrëfarë shkrese prej asnjë institucioni për të proceduar më tutje. Në momentin që vjen është komisioni i cili e bën vlerësimin e ligjshmërisë së asaj kërkese apo miratimin e MAPL-së dhe vazhdohet me procedurat ligjore”, thuhet në përgjigjen e MF-së.

Një mbështetje të tillë nuk ka mundur ta marrë asnjë qytetar i Mitrovicës, për shkak të vonesave në miratimin e buxhetit nga Kuvendi Komunal.

Komuna thotë se realizimi i pagesave pritet të bëhet pas një muaji.

“Herën e parë vendimi ka qenë deri më 31 dhjetor por pasi që nuk u miratua buxheti përsëri para dy javësh e kemi shpallur edhe një konkurs që të aplikojnë të gjithë ata që ndërkohë janë prekur nga virusi COVID dhe nuk është paguar askush deri më sot për arsye se nuk e kemi pasur të drejtën ligjore, nuk pasur mjete nga fondi i dedikuar për këtë pagesë”, ka deklaruar Faruk Mujka, nënkryetar i komunës.

Kurse komuna e vogël e Dragashit ka arritur që vitin e kaluar të paguajë me nga 505 euro një pjesë të qytetarëve të prekur nga koronavirusi.

E po shqyrton mundësitë buxhetore që vazhdojë subvencionimin edhe sivjet.

“Për vitin e kaluar ka qenë kjo shumë, ka qen vit pak më ndryshe. Këtë vit do të shohim sa do të kemi mundësi. Dëshirë e jonë është që t’i subvencionojmë sepse këtu popullata e dini është komunë e varfër por të shohim brenda mundësive tona”, është shprehur nënkryetari i komunës, Selami Saiti.

Në të gjithë vendin nga COVID-19 janë infektuar mbi 96 mijë qytetarë.

Të ngjashme