Prishtina qyteti më i lirë në Ballkan, Tirana dhe Beogradi më të shtrenjtat

Prishtinë | 13 Kor 2022 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Prishtina është zgjedhur si kryeqyteti më i lirë në rajon për kosto të jetesës, sipas Numbeo, një bazë e të dhënave ndërkombëtare për kostot e jetesës.

Tirana dhe Beogradi janë emëruar qytetet më të shtrenjta të rajonit.

Indeksi vlerësimin e bën në bazë të kostove të artikujve dhe shërbimeve të ndryshme duke përfshirë qiranë, një vakt në një restorant, një lidhje interneti dhe artikuj të ndryshëm ushqimorë.

Vlerat dorëzohen nga përdoruesit dhe studiuesit dhe më pas rendit qytetet nga më të shtrenjtat në përgjithësi tek ato më pak të shtrenjta, në krahasim me qytetin e New York-ut.

Kostoja e jetesës në Tiranë është 38.7 për qind e asaj që kushton për të jetuar në New York, me Beogradin vetëm pak më të lartë në 38.8 për qind. Më e lira në Ballkan është Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, me 26.3 për qind, e ndjekur nga Shkupi në Maqedoninë e Veriut me 32.94 për qind dhe Podgorica në Mal të Zi me 34.52 për qind.

Por, në rënditjen e përgjithshme botërore, Prishtina zë vendin e 485-të.

Përsa i përket qirasë, qiraja në Tiranë është 10 për qind e asaj të New York, ndërsa Beogradi është 13.7 për qind dhe Shkupi 7 për qind.

Tirana renditet si e shtrenjtë edhe për blerjet në supermarkete dhe për të ngrënë e pirë në restorante.

Qytetet më të shtrenjta në botë ishin Bazeli dhe Cyrihu në Zvicër me 120 për qind dhe 118 për qind të New York-ut. Qytetet më të lira ishin disa nga ato në Indi, Pakistan, Sri Lanka dhe Kolumbi.

Të ngjashme