Prizren: Gjykata i cakton një muaj paraburgim një personi të dyshuar për vjedhje të rëndë në tentativë

Prishtinë | 08 Qer 2021 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fidan Hoxha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 06.06.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 05.07.2021, ndaj të pandehurit B.C., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: vjedhje e rëndë në tentativë nga neni 315 par.1 nënpar.1.1 e lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit B.C., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Më datë 19 prill, në orët e mesditës, në Prizren, i pandehuri B.C., tenton t’ ia merr pasurinë personit tjetër – të dëmtuarit, duke kaluar dhe hequr pengesat për hapjen e objektit të mbyllur me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin e volitshëm kur në shtëpi nuk ishte askush, eliminon pengesat duke përdorur një çelës të improvizuar, të cilin e përdorë së bashku me një foli alumini me të cilën e hap derën e banesës private, depërton brenda, fillon kontrollimin mirëpo shumë shpejt aty paraqitet e dëmtuara – dëshmitarja, e cila e kap të njëjtën në flagrancë, arrin t’ ia marr çelësin së bashku me folinë e përdorur për hapjen e derës dhe po ashtu e njëjta arrin që në ato momente ta fotografoj në vendin i ngjarjes, atëherë i pandehuri me shpejtësi largohet dhe bëhet i paarritshëm për institucionet e rendit deri më datë 06 qershor, kur edhe ndalohet dhe arrestohet në Prishtinë

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, si dhe rrethana tjera të këtij rasti pasi që i pandehuri është kryerës i 29 veprave tjera penale të kësaj natyre tregojnë rrezikun e përsëritjes së kësaj vepre, si dhe faktin se që nga momenti kur dyshohet të jetë kryer vepra penale i pandehuri deri me datë 6 qershor kur është arrestuar ka qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë, andaj nëse i pandehuri lihet në liri ekziston rreziku  se i njëjti do të ik apo mund të fshehët prej organeve të ndjekjes penale.  

Të ngjashme