Profesori dhe polici nga Drenasi në gazetat zvicerane

Prishtinë | 08 Shk 2019 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Rasti i abuzimit të së miturës nga Drenasi, A.G., e cila dyshohet se u keqpërdor seksualisht nga arsimtari dhe polici i saj, është raportuar edhe në gazetën zvicerane “20min”.

“16-vjeçarja abuzohet nga mësuesi, pastaj edhe nga polici”, shkruan në titull, gazeta zvicerane 20min.

Siç raportoi Insajderi të martën, 16-vjeçarja nga Drenasi, kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Por, në vend të gjetjes së ndihmës, ajo ka gjetur një “padron” skllavërues policor.

Pas marrjes së deklaratës, fotografimit të zhveshur të viktimës dhe ekspertizës mjekoligjore, hetuesi V.V., nën kërcënim dhe shantazh e kishte detyruar të bënte seks me të. Pas shfrytëzimit seksual për më shumë se një vjet, vajza kishte mbetur shtatëzënë.

Hetuesi, e kishte detyruar vajzën ta abortonte në klinikën e gjinekologut Fehmi Ahmeti në Prishtinë.

Historia e dhunës ka marrë fund të martën kur hetuesi është arrestuar.

Përveç dhunës së ushtruar mbi të. V. V., e ka detyruar vajzën të abortojë fëmijën e tyre nën kërcënim. Aborti i paligjshëm është kryer më 15 janar të këtij viti në ordinancën e gjinekologut Fehmi Ahmeti, në Prishtinë.

Insajderi, ka hulumtuar disa javë këtë rast në të cilin është implikuar Prokuroria e Shtetit. Pas informimit nga Insajderi, Prokuroria ka vepruar të martën duke bastisur dhe duke e arrestuar hetuesin policor.

Njëkohësisht, Prokuroria ka bastisur ordinancën e gjinekologut Ahmeti, i cili po dyshohet për kryerje të abortit të paligjshëm.

Të ngjashme