Programi Nacional për Rininë u prezantohet drejtorëve të shkollave në Malishevë e Dragash​

Prishtinë | 14 Shk 2019 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Gjatë takimit me drejtorët e shkollave të Komunës së Malishevës dhe të Komunës së Dragashit, Këshilltari i Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport Gëzim Zeqiri, së bashku me zëvendësministrin për Arsim, Shkencë dhe Teknologji Azem Guri, prezantuan Programin Nacional për Rininë.

Drejtorët e shkollave u njoftuan se gara zyrtarisht do të fillojë më 19 shkurt të këtij viti si dhe u njoftuan edhe me planin e veprimit në detaje.

Zëvendësministri  Guri tha se për herë të parë po i ofrojmë mundësinë secilit nxënës të jetë pjesë e një Programi gjithëpërfshirës dhe institucional. “Programi Nacional do të kyçë të gjithë nxënësit në gara dhe do të sjellë ndryshime pozitive në shkollat e Kosovës sepse do të fusë frymën garuese. Ky program e ka mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe ne do ta mbështetim Koordinatorin për implementimin e tij”, tha Guri.

Kurse, Drejtori Komunal i Arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi tha se ky projekt është i mirëseardhur dhe i dobishëm për nxënësit.

Takimet me drejtorët e shkollave u zhvilluan edhe në Komunën e Dragashit të cilët u njoftuan nga afër me rrjedhën e programit. Drejtorët e shkollave të Dragashit shprehën gatishmërinë e tyre për t’u përfshirë në gara dhe uruan Koordinatorin Nacional për fillimin e Programit Nacional për Rininë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme