Projektligji për legalizimin e armëve dërgohet në Kuvend

Prishtinë | 08 Shk 2017 | 11:50 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive.

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi, tha se ky projektligj do të shërbejë për legalizimin e armëve të shumta që qytetarët e vendit i posedojnë ilegalisht.

“Grupi punues e kemi përcaktuar dhe jemi dakorduar dhe kemi formuluar 17 amendamente për të cilat pres që këto amendamente të miratohen nga kolegët e komisionit që më pas të dërgohet në kuvend”, tha ai.

Kryetari i komisionit Daut Haradinaj kërkoi nga Rexhep Selimi, për të shpjeguar se cilat janë pjesët më esenciale nga këto amendamente,

Selimi tha se ligji do t’i shërbejë legalizimit të armëve, pasi sipas tij, në Kosovë ka shumë armë ilegale .

“Mendoj qe ky ligj do ti shërbej legalizimit të armëve , duke pasur parasysh që në Kosovë ka shumë armë ilegale. Ndërsa sa i përket armëve trofe, ky ligj i hap rrugë legalizimit të tyre që ato të mund të përdoren si kujtim, trofe, nëpër muze , mirëpo me kusht të çaktivizimit të tyre”, tha Selimi.

Ndërsa Nuredin Ibishi, tha se do të ishte mirë sikur të përcaktohej kostoja e legalizimit të armëve.

“Besoj se kishte me qenë më mirë sikur të përcaktohej kostoja e legalizimit të armëve, të dihet qysh në fillim se sa do të jetë çmimi i legalizimit në mënyrë që mos të na dalin telashe”, tha ai.

Selimi tha se kjo i mbetet ekzekutivit për ta bërë.

“Kjo i mbetet ekzekutivit, politikave te qeverisë ,Ajo çka mund të bëjmë ne është vetëm t’i sugjerojmë Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ta bërë këtë. Por ne nuk mund ta përcaktojmë koston”, tha ai.

Projektligji u miratua nga të gjithë anëtarët e komisionit dhe do të shkojë në kuvend për miratim.

Të ngjashme