Projektligji për Lehonat u mundëson edhe baballarëve pushim

Prishtinë | 03 Tet 2018 | 12:07 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka lansuar në konsultime publike Projektligjin e Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror, me qëllim që, siç tha ai, këto projektligje të jenë të përgatitura mirë.

Gjatë prezantimit të projektligjeve, Reçica tha se në Projektligjin e Punës do të trajtohen çështje që nga lidhja e kontratës e deri te punësimi i punëmarrësit, raporton Ekonomia Online.

“Ideja e kësaj është që këto projektligje të jenë të përgatitura mirë, të jenë të përfshira sugjerimet e grupeve të interesit, sepse ky ka për qëllim garantimin e të drejtave të qytetarëve tanë. Këto kanë qenë arsyet që viti 2018 të quhet vit i reformave. Ku preken të drejtat e qytetarëve, punonjësve, me nevoja të veçanta, ne jemi pranë”.

“Jemi duke trajtuar si reformë shërbimet sociale dhe familjare, si reformë trajtimin e personave me aftësi të kufizuara. Prandaj e kemi quajtur vit i reformave. Në këtë projektligj do të trajtohen çështje që nga lidhja e kontratës e deri te shkëputja apo pensionimi i punëmarrësit”.

Ministri Reçica tregoi strukturën e projektligjit.

“Struktura e projektligjit është hartuar sipas kapitujve e nënkapitujve, me fusha specifike me 181 nene, me fushat, kontrata e punës, orari i punës, pushimet në përgjithësi, puna nga shtëpia, kompensimet nga dënet, paga minimale, gjobat, etj”.

Reçica tregoi se me projekligjin e ri, kontratat me afat të caktuar mund të lidhen për më së shumti tri vite dhe mund të ndryshohet vetëm brenda dy viteve, raporton EO.

“Kontratat me afat të caktuar që kanë qenë brengë për shumë punonjës, mund të lidhen sipas projektligjit të ri, për më së shumti tri vite dhe kontrata mund të ndryshohet vetëm brenda dy viteve. Jemi konsultuar për të drejtat e këtyre punonjësve, të zbatimit të ligjit aktual dhe të gjitha këto i kemi pasë parasysh. Që nga sot do ta kemi në konsultë publike”.

Lidhur me Projektligjin e Pushimit të Lehonisë dhe Prindëror, ministri bëri të ditur se është paraparë që pushimi i lehonisë të jetë 12 muaj, me ç’rast tre muajt e parë do të paguhen nga punëdhënësi 70 %.

“Kemi paraparë që pushimi i lehonisë të jetë 12 muaj. 3 muajt e parë do paguhen nga punëdhënësi me 70%, 6 muaj 50% nga qeveria me pagë mesatare dhe 3 muajt e fundit nuk paguhen. Në rast të lindjes së binjakëve ose më shumë fëmijëve, një grua ka të drejtë 18 muaj pushim. Katër muajt e parë të lehonisë do bëhet me pagesë bazë prej 70% nga punëdhënësi dhe 11 muajt e tjerë nga qeveria me 60% të pagës mesatare”.

Ndryshim tjetër është se edhe baballarëve do t’iu takojë pushim 4 muaj pa pagesë.

“Edhe nëna, edhe baba pas pushimit të lehonisë së nënës do kenë të drejtë pushimi 4 muaj pa pagesë. Babi i fëmijës ka të drejtë pushim me pagesë 10-ditorëshe pas lindjes apo birësimit të fëmijës”.

“Trajtimi  i lehonave të papunësuara. Një nënë lehonë e ka brengë për foshnjën e sapolindur me koston. Ato do trajtohen me pagë minimale për 6 muajt e parë të lindjes”.

 

Të ngjashme