Prokurorët paralajmërojnë padi ndaj këngëtarëve që iu ikin tatimeve

Prishtinë | 10 Shk 2017 | 12:18 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këngëtarët kosovarë vazhdojnë t’u ikin tatimeve edhe pse me ligj janë të detyruar ta kryejnë këtë obligim. Mirëpo, prokurorët kanë paralajmëruar se do të bëjnë padi ndaj këngëtarëve të cilët po u ikin tatimeve, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka thënë Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, në të cilën është diskutuar raporti për luftimin e krimit ekonomik gjatë periudhës korrik-shtator të vitit 2016 dhe tetor- dhjetor po të njëjtit vit, si dhe pika tjera.

Fazliu ka bërë të ditur për periudhën tetor-dhjetor të vitit të kaluar një pjesë e këngëtarëve nga estrada kosovare ka paguar për afro 330 mijë euro tatim.

“ATK-ja gjatë periudhës tetor-dhjetor vetëm nga një grup i këngëtarëve kanë pagur tatimin mbi 330 mijë euro, shifrat e fundit japin vëmendje që ndoshta bëhet fjalë edhe për 400 mijë euro të cilat janë paguar vetëm nga ky grup i këngëtarëve. Që do të thotë që me këtë pos që është luftuar ekonomia joformale në disa raste tashmë janë marrë edhe aktvendimet mbi fillimet e hetimeve nga anëtarët e KPK-së. Në vitin 2017 do të bëhen edhe aktakuzat e para për mos pagim të tatimit, dhe pastrim të parave nga ky grup”, ka thënë Fazliu.

Fazliu: KGjK-ja nuk trajtoi 23 raste për konfsikim

Koordinator Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, ka folur edhe për rekomandimet për vitin 2016 si procesi i llogaridhënies, për të cilin sipas tij, nga kryeprokurori është premtuar se do të jetë prioritet i vitit 2017.

Ai ka theksuar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) nuk është treguar efikas në trajtimin e disa rasteve për konfiskim.

“Shqetësimi kryesor ka qenë që gjykatat vazhdojnë që gjatë gjithë vitit 2016 nuk është se kanë tregu ndonjë efikasitet në trajtimin e lëndëve, kur kanë pas kërkesa për konfiskime përfundimtare gjatë 2016-ës, ngase në KGjK kemi dërguar mbi 23 raste madje edhe jemi pajtuar që këto raste ata t’i trajtojnë me prioritet por nuk kemi vërejtur ndonjë përgjigje adekuate për atë që jemi pajtuar”,ka thënë Fazliu.

Zv.kryeprokurorja e shtetit, Sevdije Morina, ka paraqitur planin e punës së prokurorisë për vitin 2017.

Ajo ka thënë se synim i punës së Prokurorisë është luftimi i krimit të organizuar ajo gjithashtu ka paraqitur edhe dhjetë objektivat specifike të punës së prokurorisë, duke nisur me zbulimin e hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Të ngjashme