Prokurorët që u morën me Kosovën: Putin bëri krime, por zor të gjykohet

Prishtinë | 05 Pri 2022 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Prokurorët që janë marrë e që po merren me krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, po e konsiderojnë si shumë sfiduese vendosjen e drejtësisë për krimet që Rusia po i kryen në Ukrainë, e aq më pak që për to të gjykohet presidenti Vladimir Putin.

Alex Whiting, zëvendësprokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë dhe ish-prokuror në Tribunalin për Krimet në Ish-Jugosllavi e në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), po e sheh si pengesë faktin se Rusia nuk është vend anëtar u kësaj të fundit.

Kjo, krahas arsyeve tjera, edhe tektnike, meqë ndjekja penale e udhëheqësve të profilit të lartë bëhet edhe më e vështirë për shkak se ata zakonisht nuk janë në skenën e krimeve të supozuara të luftës.

“Krimet e luftës kanë qenë historikisht të vështira për t’u hetuar dhe shpesh edhe më sfiduese për t’u ndjekur penalisht. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur prokurorët kërkojnë t’i mbajnë udhëheqësit ose ish-udhëheqësit përgjegjës”, ka thënë Whiting, njeriu i dytë i gjykatës special që po i gjykon drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, midis tyre edhe presidentin, Hashim Thaçi, transmeton Klankosova.tv

Se rruga drejt mbajtjes përgjegjës të Putinit dhe zyrtarëve të tjerë rus për atë çka po ndodh në Ukrainë është e gjatë dhe komplekse e thotë edhe ish-kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetimore,. Clint Williamson, që i kreu hetimet për raportin që pretendonte se ka pasë trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.

Por, as ky nuk ka dyshim te natyra e krimit.

“Sigurisht, zbulimi i trupave që kanë shenja të ekzekutimit – si plagë me armë zjarri në kokë – paraqet prova të forta që janë kryer krime lufte. “Kur viktimat gjenden me duar të lidhura, me sy të lidhur dhe me shenja të torturës apo sulmit seksual bëhet një rast edhe më bindës. Nuk ka asnjë rrethanë në të cilën këto veprime janë të lejuara, qofshin viktimat civilë apo personel ushtarak që ishin zënë rob”, thotë Williamson, që është edhe ish-ambasador i ShBA-së për çështje të krimeve të luftës.

Në ndërkohë, edhe ish-prokurori IiKombeve të Bashkuara për krimet në Kosovë, Alex Batesmith, thotë se nuk ka asnjë mundësi që presidenti rus të sillet para ICC-së.

“Por nuk ka asnjë mënyrë në tokë që Putini të dorëzohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale ose të arrestohet dhe të sillet në këtë gjykatë pa konflikte të mëdha ndërkontinentale ose ndryshime të brendshme politike në Rusi që nuk duken të besueshme se mund të ndodhin”, tha ai për AP, njoffton Klankosova.tv.

Këta prokurorë i bashkohen me thirrje, ish-kryprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, e cila ishte e para nga ky kalibër ndërkombëtar që bëri thirrje të ngritet aktakuzë ndaj liderit rus, ashtu siç ishte ngritur ndaj ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq. (AP/Axios)

Të ngjashme