Prokuroria deklarohet rreth konfliktit mes shtetasve turq në Prishtinë që përfundoi me vrasje

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

S.K., me nënshtetësi turke, u vra dje në lagjen Dardania të Prishtinës. I dyshuari për vrasjen është bashkëkombasi i tij Yildirim Atila. Krimi ndodhi brenda veturës, në të cilën viktima ishte ulur përpara, ndërsa dorasi kishte shtënë nga prapa. Më pas revolen e kishte hedhur në një kosh plehrash.

Dorasi ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe akoma ndodhet në arrati, ai po kërkohet për dy veprat penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, tha se kanë nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes dhe në bashkëpunim me policinë po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme drejt zbulimit të plotë të ngjarjes.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet në drejtim të veprave penale “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Aktualisht, i dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit të Departamentit të Krimeve të Rënda, është lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerin”, tha Ulaj të hënën për Gazetën Express.

Tutje, në përgjigje thuhet se “prokurori i shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore drejt zbulimit të rrethanave të ngjarjes, andaj në këtë fazë nuk mund të japim ndonjë detaj shtesë”.

Por, si ndodhi vrasja?

Policia ka njoftuar se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Pak orë pas ngjarjes, policia publikoi identitetin e të dyshuarit me qëllim arrestimin e tij.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, ndërsa motivet që çuan deri te vrasja janë akoma të paqarta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme