Prokuroria jep detaje për bastisjet në Pejë, Klinë dhe Istog

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Pejë, njofton se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna.

Prokuroria bën të ditur se aksionet po kryhen në Pejë, Klinë dhe Istog, me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme.

“Për këto veprime në teren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Pejë gjatë ditës së sotme do të njoftojë lidhur me rezultatet dhe veprimet e ndërmarra.

Të ngjashme