Prokuroria kërkon që 4 zyrtarëve komunalë në Pejë t’u ndalohet ushtrimi i detyrës

Prishtinë | 25 Shk 2021 | 20:13 | Nga Ekonomia Online

Pas një viti të seancave të mbajtura në Gjykatën Themelore të Pejës, ka përfunduar shqyrtimi kryesor në gjykimin ndaj shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Sheremeti, dhe tre punëtorëve të tjerë të kësaj komune, Gëzim Shala, Gëzim Lajqi dhe Ruzhdi Zhara.

Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërsa Ilir Kelmendi, pronar i një operatori ekonomik në Pejë, akuzohet për mashtrim.

Prokurori i rastit Agron Galani, në fjalën e tij përfundimtare tha se është vërtetuar që të pandehurit kanë kryer veprat penale, duke kërkuar që ata të shpallen fajtorë.

Ndërsa avokatët mbrojtës kanë kërkuan nga trupi gjykues që klientët e tyre të lirohen nga akuza, me arsyetimin se në asnjë mënyrë nuk është vërtetuar se kanë kryer veprat penale.

Edhe vetë të akuzuarit janë shprehur se janë të pafajshëm, duke kërkuar nga gjykata që të marrë ndaj tyre aktgjykim lirues.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj tyre në maj të vitit 2019 lidhur me një tender prej 12 mijë eurove për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial në qendrën sportive në fshatin Brestovik në Pejë.

Kompania e kontraktuar nga Komuna sipas aktakuzës, në vend që të sjellë makinën e paraparë, ajo kishte sjellë makinën vetëm për kositje të barit natyror në vlerë prej 2 mijë eurosh, duke i shkaktuar Komunës dëm rreth 10 mijë euro.

Të ngjashme