Prokuroria ndalon edhe të dyshuarin e pestë për vrasjen e mbrëmshme në Gjilan

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se tashmë ka ndaluar edhe të dyshuarin e pestë për vrasjen dhe plagosjen e mbrëmshme.

Prokuroria ka ndaluar të dyshuarin në kohëzgjatje prej 48 orëve.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve edhe i dyshuari i pestë, me inicialet R.I., për shkak të dyshimit se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 08 Nëntor 2021, në Gjilan, në të cilën me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri E.R”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit R.I., ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij do të vazhdojë me procedurat e tjera hetimore.

Duhet përkujtuar që mëngjesin e sotëm, Prokuroria ndaloi për 48 orë katër të dyshuarit e tjerë lidhur me këtë rast.

Të ngjashme