Prokuroria po pret raportin e obduksionit për policin që dyshohet se u vetëvra

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 16:09 | Nga

Prokuroria Themelore në Gjilan, është duke pritur raportin e obduksionit nga Mjekësia Ligjore në lidhje me rastin e vetëvrasjes së pjesëtarit policor me inicialet B. I.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, tha për KALLXO.com se raportin e kanë kërkuar me shpejtësi duke theksuar se të gjitha hetimet që janë bërë deri më tani, tregojnë se i ndjeri ka kryer vetëvrasje.

“Po presim raportin e obduksionit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe të shohim se çka po tregon ai raport. Sipas hetuesve tanë të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes mbrëmë, i ndjeri nuk ka pasur shenja të dhunës përveç goditjes që i ka bërë vetes”, tha Maloku.

Maloku shtoi se nga ana e dëshmitarëve është marrë e njëjta përgjigje se i ndjeri ka shkuar në tualet dhe pas disa minutave vonesë, është dëgjuar një e shtënë me armë.

“Dëshmitarët janë marrë në pyetje, ata që kanë qenë me të ndjerin në tavolinë duke pirë dhe pronari i lokalit, ata të gjithë kanë dhënë deklaratën e njëjtë se i ndjeri është zgjuar nga tavolina ka shkuar në tualet dhe më pas është dëgjuar një e shtënë. Dëshmitarët kanë deklaruar se pas të shtënës kanë shkuar me vrap tek tualeti e kanë hapur derën me forcë dhe kanë gjetur viktimën të shtrirë në tokë”, tha Maloku.

Ai në fund tha se të gjitha hetimet tregojnë se i nderi ka kryer vetëvrasje por kjo nuk mund të mbyllet si rast pa pasur edhe raportin e IML-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme