Prokuroria Speciale heton zgjedhjen e ish-shefes së Prokurimit në Policinë e Kosovës, dyshime për ndërhyrje nga zyra e drejtorit

Prishtinë | 26 Gus 2019 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Miliona euro buxhet të Policisë së Kosovës dyshohet se deri për para pak muajsh janë menaxhuar nga një person jokompetent.

Ish-shefja e Zyrës së Prokurimit në Policinë e Kosovës, Valmira Bllaca, sipas informatave që ka Koha Ditore, është duke u hetuar për falsifikim të dokumentit, i cili dokument ia ka mundësuar që të bëhet shefe e prokurimit. Së bashku me të në hetim janë edhe shtatë zyrtarë të tjerë.

Në mesin e tyre edhe shefi i kabinetit të drejtorit të përgjithshëm, Rashit Qalaj, ani pse Bllaca në këtë pozitë kishte ardhur në kohën kur Policia e Kosovës drejtohej nga Shpend Maxhuni.

Bllaca, sipas dyshimeve të hetuesisë, ka arritur të bëhet shefe e Prokurimit të Policisë me një vërtetim të falsifikuar, i cili “dëshmonte” përvojën e punës si “menaxhere kontabiliteti” në biznesin e familjes së saj, biznes i cili sipas dokumenteve zyrtare ka vetëm dy punëtorë.

Pak kohë pasi ka nisur hetimi, Bllaca e ka braktisur Policinë e Kosovës. Është bërë shefe e prokurimit në një nga autoritetet më të rëndësishme publike në kuptimin e buxhetit që shfrytëzohet për prokurimin publik. Tash e disa muaj Bllaca është drejtoreshë e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Të ngjashme