Prokuroria të hetojë gjuhën e urrejtjes fetare e racore!

Prishtinë | 21 Maj 2020 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Gani Mehmetaj, ish drejtor i Kosova Filmit në një postim në rrjetet sociale pas faljes demonstrative të namazit të besimtarëve islamë në Sheshin Skënderbeu, përveç se e dezinformoi opinionin se kush e organizoi këtë falje të namazit ai, me një gjuhë brutale të urrejtjes fetare dhe racore i fyen rëndë të gjithë besimtarët e besimit islam sikur që i krahasoi edhe me një turmë të qenve endacakë.

Gjuha e keqpërdorur e Gani Mehmetaj ndaj besimtarëve të besimit islam është në kundërshtim të plotë me të drejtat dhe liritë fetare si pjesë e rëndësishme e të drejtave të njeriut e që janë të rregulluara me dokumente ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut , që nga

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara e deri te Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

E drejta e besimit e të ushtrimit të lirë dhe të papengueshëm për të gjithë besimtarët e gjithë besimeve , pa asnjë dallim, në Kosovë është e rregulluar me Ligj. Gjuha e Gani Mehmetaj , pa asnjë dyshim është gjuhë e urrejtjes që nxit mosdurim në rastin konkret ndaj besimtarëve të besimit islam është gjuhë që nxit urrejtje në baza racore dhe gjuhë jashtëzakonisht fyese si dhe
nënçmuese andaj Prokuroria e Shtetit duhet të fillojë hetime sipas detyrës zyrtare për faktin se gjuha e tillë e urrejtjes përbënë elemente të veprës penale dhe si e tillë duhet të hetohet.

Policia e Kosovës duhet të hetojë se kush e ka organizuar faljen e namazit në Sheshin Skënderbeu dhe pas kësaj duhet të ndërmerrë veprime konkrete për të hequr dilemat nëse këtë e paska bërë “krahu islamik i PDK-së” apo aktivistë të VV-së ose dikush tjetër.

KMDLNj ua përkujton të gjithëve se sheshet e Kosovës janë për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim dhe se askush nuk e fyen Sheshin Skënderbeu as Zotin Pajaziti nëse e ushtron një aktivitet në përputhje me Ligjin dhe se është i papranueshëm zbatimi i standardeve të dyfishta, si nga politika ashtu edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast heshtet dhe lejohet një manifestim politik të 500 aktivistëve në kohën kur tubimet janë të ndaluara kurse një manifestim i natyrës fetare fyhet me fjalët më të rënda.

Të ngjashme