Prokuroria Themelore në Prizren, ngrit aktakuzë kundër dy personave për grabitje e armëmbajtje pa leje

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër M.Sh., dhe B.Z., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 31,si dhe veç e veç veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, me datë 16.07.2019, rreth orës 04:20 minuta në njërën nga pikat e karburantit në fshatin Piranë – Komuna e Prizrenit, të akuzuarit M.Sh., dhe B.Z., me përdorim të forcës dhe të kanosjes me armë e përvetësojnë në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të pompës së derivateve, në atë mënyrë që të akuzuarit maskohen dhe armatosen dhe me veturën ”VW Golf 5”, me targa të vendosura vetëm përpara të vjedhura nga automjeti tjetër i tipit “Mercedes Benz 124”,  vijnë me  shpejtësi të vrullshme  në pikën e karburanteve me ç’rast  i akuzuari  i parë M.Sh., me pistoletë hynë në marketin e kësaj pike dhe nën kërcënim të armës e godet dhe e shtrin në tokë punëtorin J.M., ashtu që grabit kasafortën në të cilën ka pasur para në shumë prej 757.00 (shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë) euro dhe merr disa pako të cigareve “Winston”. Ndërsa, i akuzuari  i dytë B.Z., i cili po ashtu ishte i maskuar drejton pushkën automatike AK 47 duke kërkuar para punëtorit J.B., i cili gjendej në kabinë, dhe pasi i akuzuari i parë M.Sh., del nga marketi me kasafortë, këta me shpejtësi hyjnë në veturë dhe nisen në drejtim të Gjakovës duke dëmtuar pompën e derivateve në fshatin Piranë, në shumë prej 757.00 (shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë) euro.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit M.Sh., dhe B.Z., kanë përmbushur elementet e veprave penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cila u vihen në barrë. 

Të ngjashme