Prokurorja: Dy të akuzuarit për 113 kg drogë të ardhura nga Iraku janë dënuar me nga 12 vite burg në Shqipëri

Prishtinë | 20 Kor 2022 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Xhemail Shala dhe Iskender Sale, të cilët akuzohen për 113 kg heroinë e cila kishte arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë, janë dënuar nga Republika e Shqipërisë me nga 12 vite burgim efektiv.

Këtë e ka bërë të ditur prokuroria speciale, Florie Shamolli gjatë seancës së të mërkurës, ku bashkë me Xhemajl Shalën e Iskender Sale po akuzohen edhe Sadik Shala e Alban Gashi.

“Me datën 18.07.2022, nga Republika e Shqipërisë shkalla e pare kam pranuar një aktgjykim i cili është i lidhur me rastin tone, ky sipas këtij aktgjykimi, Xhemail Shale dhe  Iskender Sale janë shpallur fajtor, janë dënuar me nga 12 vite burgim efektiv”, bëri të ditur prokurorja.

Sipas prokurores Shamolli rasti për të cilin dy të akuzuarit janë dënuar nga Republika e Shqipërisë është po i njëjti rast dhe se dy të akuzuarit me të kuptuar që janë të dyshuar në Shqipëri, kishin ndryshuar identitetin.

Në lidhje me këtë prove të paraqitur, mbrojtësi i të akuzuarit Sadik Shala, avokati Naim Rudari tha se është shqetësueses se si prokuroja e dorëzon këtë prove në ditën kur pritej të thuhej fjala përfundimtare dhe kjo sipas tij, me qëllim të nxitjes së pranimit të fajësisë.

Avokati Rudari u shpreh se nëse ky aktgjykim është për rrethanat e njëjta, atëherë prokurorja të tërhiqet nga aktakuza. Ai shtoi se prokuroria po e bënë “lojë”, krimin e organizuar pasi kur po dëshiron po e shton e kur don po e hjekë si vepër penale, teksa kërkoi që seanca të vazhdoj duke theksuar se i mbrojturi i tij është që 44 muaj në paraburgim.

Ndryshe mendoi kolegu i tij, mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajl Shala, avokati Asdren Mekaj, i cili kërkoi që seanca të shtyhet në mënyrë që të kenë kohe ta shikojnë aktgjykimin të cilin prokuroja e prezantoi, teksa pyeti prokuroren nëse ky aktgjykim do të përdoret si prove lehtësuese apo rënduese.

Për këtë, prokurorja Shamolli u shpreh se në dispozitiv përshkruhet se si ka ardhur droga, dhe se kjo sigurisht që do përdoret si provë renduese ndaj të akuzuarve.

Në lidhje me këtë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, vendosi që seancën ta shtyjë për 28 korrik, ku do vendoset lidhur më provën e po ashtu do të jepet edhe fjala përfundimtare për këtë rast.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhemal Shalës, Sadik Shalës, Iskender Sale, Alban Gashi dhe Labinot Zenelaj, për shkak se sipas aktakuzës, të akuzuarit Shala dhe ai Sale, si shtetas turk, duke vepruar si grup kriminal, i shtrirë në territorin e shtetit të Iranit, Shqipërisë dhe Kosovës, kishin blerë dhe poseduar substanca narkotike të llojit heroinë.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2018, kishin blerë heroinë nga Iraku, e cila kishte arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.

Siç thuhet në aktakuzë, me qëllim të shmangies nga ndjekja penale, të pandehurit kanë bërë ndërrimin e identiteteve, ashtu që i ndjeri N.C ka siguruar identitetin Lavdim Nimani dhe Lulzim Shala, i akuzuari Sale ka ndërruar identitetin duke u emëruar Mehmet Gjini, kurse i akuzuari Xhemal Shala me identitetin Skender Sheremeti.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sadik Shala më 14 shkurt 2017, ka regjistruar një biznes në emrin e tij me seli në Ferizaj, i cili gjatë vitit 2017-2018 ka eksportuar gjithsej 19 maune me pllaka të mermerit dhe gurë dekorues, ku në eksportin e fundit, ishin eksportuar gjashtë maunë pllaka të mermerit, ku në njërën nga këto maune në 10 paketime të pllakave nga secila prej tyre ka pasur nga dy bunkerë ku ka qenë e vendosur heroina në peshë bruto prej rreth 113 kg, e cila është konfiskuar në banesën e të ndjerit N.C në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, tani i ndjeri N.C i cili ka qenë në krye të këtij grupi kriminal e ka bërë porosinë  e heroinës, e cila është vendosur në paketimet e pllakave të mermerit, pasi që i njëjti ishte njohës i mirë i gjuhës kurde, ku të njëjtat pllaka me substancën narkotike kanë ardhë në firmën e të akuzuarit Shala, të cilat pagesa deri në Shqipëri i ka kryer i ndjeri N.C, ndërsa nga Shqipëria në Kosovë pagesat i ka kryer Sadik Shala në emër të biznesit të tij.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Labinot Zenelaj, mirëpo, ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë dhe më 10 mars 2021, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale të mashtrimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Xhemal Shala më 12 korrik 2018, sipas marrëveshjes gojore me të ndjerin N.C dhe të akuzuarin Sadik, e kishte marrë me qira oborrin e depos ku ishte i vendosur biznesi i të akuzuarit Sadik, të cilin e kishin shfrytëzuar për t’i vendosur pllakat e mermerit dhe gurët dekorues të eksportuar në Kosovë, me qëllim të shitjes së heroinës. I akuzuari Shala kishte marrë një banesë me qira në Fushë Kosovë, ku gjatë kontrollit të saj i janë gjetur një qese me substancë narkotike – heroinë, pesë valixhe të zbrazëta me mbetje të pluhurit të heroinës, si dhe shirita ngjitës dhe dorëza të gomës të cilat janë shfrytëzuar për përpunimin edhe paketimin e substancës narkotike.

Në aktin akuzues thuhet se më 13 tetor 2018, i ndjeri N.C së bashku me tre të akuzuarit kanë shkuar në Ferizaj në depon e të akuzuarit Sadik, ku e kanë nxjerrë heroinën në peshë bruto prej rreth 113 kg nga gjashtë maunet e pllakave, të cilën të nesërmen e kanë vendosur në bagazh të veturës dhe e kanë sjellë në banesën e të ndjerit në Prishtinë, ku më 2 dhjetor 2018 është sekuestruar.

Me këto veprime, tre të akuzuarit kanë kryer veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga nenin 283, par.1 të KPRK-së lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 281, paragrafi 1 pika 1.9 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, Xhemal Shala dhe Iskender, me të kuptuar se më 19 tetor 2018 në Shqipëri janë publikuar emrat e tyre si persona të dyshuar se fshihen pas rastit të laboratorit të drogës në Has të Shqipërisë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit kanë paraqitur fakte të rreme në Qendrën e Regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq, me ç’rast kanë paraqitur ekstraktin e lindjes me të dhënat e personit Mehmet Gjini dhe të dhënat e personit Skender Sheremeti, ku me ndihmën e tani të ndjerit N.C i cili i ka vënë në kontakt me të akuzuarin Alban Gashi, nga ai kanë siguruar këto ekstrakte të lindjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këta të akuzuar së bashku me të akuzuarin Gashi, janë takuar edhe me një person deri më tani të panjohur, i cili i ka shoqëruar në këto dy qendra të regjistrimit, ku duke i paraqitë faktet e rreme i kanë vu në lajthim zyrtarët në qendrat e regjistrimit dhe kanë arritur t’i sigurojnë dokumentet me identitetet të reja.

Me këto veprime, secili nga tre të akuzuarit veç e veç kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi në periudhën kohore tetor – nëntor 2018, me dashje iu ka ndihmuar të akuzuarve Xhemal dhe Iskender dhe të ndjerin N.C, në shmangien e zbulimit dhe mosarrestimin e tyre nga organet e ndjekjes së Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe me qëllim të përfitimit pasuror u ka ndihmuar në nxjerrjen e dokumenteve zyrtare në mënyrë të kundërligjshme, duke i marrë të ndjerit N.C nga 5 mijë euro për secilin dokument.

Prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 388, paragrafi 2 nën paragrafi 2.8 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurorja thotë se dy të akuzuarit për 113 kg heroinë të ardhura nga Iraku janë dënuar me nga 12 vite burg në ShqipëriProkuroria e ngarkon të pandehurin Gashi edhe me veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 398, paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së, sepse ai më 24 dhjetor 2018 me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, një autorizim të lëshuar kinse në emër të noteres Feraseta Pejcinovic në Pejë, i cili paraqet faktin e rremë se kinse autosalloni “Endriti”, me përfaqësues Valon Baram, e autorizon të ndjerin N.C me të dhënat Lulzim Shala, ko formalizon blerjen e sendit të luajtshëm dhe atë veturën e tipit “BMW 7”, në vlerë prej 80 mijë euro, të cilën e ka shfrytëzuar i ndjeri si autorizim të vërtetë, ku më 2 dhjetor 2018, i është gjetur atij në banesën e tij. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme