Promovohet libri që u kushtohet më shumë se 1 400 fëmijëve të vrarë në luftë

Prishtinë | 18 Nën 2019 | 13:22 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës u promovua libri “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”, të autorëve Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana.

Ky libër u kushtohet më shumë se 1 400 fëmijëve martirë të Kosovës, të vrarë e të masakruar nga forcat serbe në periudhën e viteve 1981-1999, raporton Ekonomia Online.

Para promovimit të librit fëmijët e martirëve të Kosovës sollën korin “Mos ua prishini lumturinë”.

Autori i librit, Nusret Pllana, deklaroi se ka familje që ende nuk e dinë se ku gjenden trupat e fëmijëve të tyre.

Sipas tij, fëmijët u masakruan nga vendi që as sot nuk e pranon peshën e krimit.

“Vrasja dhe masakrimi i fëmijëve është shuarja e familjes se tërë. Ka familje që iu ka mbetur vetëm një fëmijë, ka familje që ende nuk e dinë se ku gjenden trupat e fëmijës së tyre. Kjo përmasë tragjike u bë nga Serbia naziste dhe fashiste që nuk u trajtua asnjëherë në Këshillin Evropian. Fëmijët janë masakruar nga një vend i Evropës që as sot nuk mund ta pranoj peshën e këtij krimi. Kjo plagë e madhe e Kosovës nuk është shëruar as sot e kësaj dite”.

Pllana theksoi se fëmijët u vranë si “zogjtë e pulës” dhe Evropa vazhdon të heshtë.

“Andaj lexuesin këtij libri do të pyesin se çfarë kanë bërë kosovarët dhe institucionet, jo vetëm të kujtohen vetëm një ditë. Duhet të trajtohet si reagim i ndërgjegjes. Ne i rivramë ata me dorën tonë, pasi si institucione nuk i kemi përmendur kurrë dhe heshtja na kushtojë shumë shtrenjtë. Pas 20 vite çlirim akuzohen luftëtarët e UÇK-së”.

“Ata u vranë sikur zogjtë pule e jo si krijesa njerëzore dhe Evropa heshtë. Evropa shpik Gjykata Speciale për shqiptarët, por asnjëherë nuk nxori një për kriminelet që dëshironin të shuanin të ardhmen e vendit”, ka thënë Pllana.

Redaktori i librit, Emin Kabashi, thotë se institucionet dhe ministritë përkatëse nuk morën mundin të botonin një vepër të tillë për të rikujtuar gjenocidin që Serbia bëri ndaj Kosovës.

“Kultura është ruajtur në veprat e arbëreshëve, pa historinë e tyre është e vështirë të merret me mend prania e luftëtarëve dhe Skënderbeut. Këtë vepër nuk e botuan institucionet tona as ministritë gjegjëse tona. Kjo vepër dëshmon se cili ishte pushtuesit tanë dhe që po krahasohen viktimat me shteti që kreu këtë makaber. Vrasja e viktimave që janë bërë do të mbeten në kujtesën tonë historike”, thotë ai.

Don lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, theksoi se nga leximi i veprës mendja iu është bllokuar nga ngjarjet makabre e të pabesueshme që bëri Serbia.

“Me tronditje në zemër mundohemi t’i zgjedhim fjalët që do ta prekte gurin edhe drurin. Gjatë leximit të veprës, fëmijët martirë të Kosovës 1991-1999 gjithnjë mu kanë terruar sutë dhe mu janë shtanguar gjymtyrët dhe mu ka bllokuar mendja nga ngjarjet kaq makabre të pabesueshme. Ndaj krijesë së njomë e të pambrojtur. Pse na keni lindur vetëm për të na vrarë a nuk keni kënaqësi tjetër përveç se të na vrisni”.

Gjergji tha se fëmijët martirë janë pasqyra më e mirë e lirisë, raporton EO.

“Fëmijët u masakruan vetëm pse ishin gjallë dhe ishin shqiptarë. Ne që jemi gjakun tyre, prindër dhe vëllezër e motrat e tyre që duhet të ishim mbrojtësit e tyre ata ishin të gjallë dhe sot nuk janë në mesin tonë e as në kujtimet tona. Fëmijët e masakruar të vrarë janë pasqyra më e mirë e lirisë”, u shpreh ai.

Mjeku humanist në UÇK, Faik Bllata, ka rrëfyer rastet tragjike të fëmijëve gjatë luftës.

“Një nënë e sjell djalin për vdekje nuk kishim mundësi ku me ja ngjit infuzionin. Ka ora 4 e mëngjesit djali 7 vjet dha shpirt. Nana prite prej meje mrekulli. Por unë ia japa lajmin trishtues, ajo tha dje ma vranë para syve nënën e babën kisha vetëm shpresën të djali”, ka rrëfyer Bllata.

Autorja e librit, Hanëmshahe Ilazi, potencoi se gjaku i fëmijëve nuk duhet të falët kurrë.

“Ky libër i dedikohet lutjeve të fëmijëve disa edhe të pagëzuar ku masakrohet nënë shtatzënën. Ky është gjak që nuk guxon të falet, armiqtë duhet t’i falim, por kurrë mos t’ia harrojmë. Vrasje, shkatërrime, dhunime që la gjurmë të pashlyera. Fëmijët serb në Pejë janë vrarë me urdhër të eprorëve serbë”, u shpreh ajo.

Të ngjashme