Promovohet pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”

Prishtinë | 16 Gus 2016 | 13:16 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Posta e Kosovës ka promovuar të martën pullën postare që i dedikohet shenjtërimit të Nënës Terezë.

Në promovimin që është mbajtur në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Vitit të Nënës Terezë, i shpallur nga Qeveria e Kosovës, kanë marrë kryeministri Isa Mustafa, ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve të ndryshme.

Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha, ka folur për vlerat dhe imazhin që bart kjo pullë postare.

“Kjo pullë postare do të udhëtojë nga Republika e Kosovës për në të gjitha vendet e botës dhe do të përcjellë edhe lutjet e Nënës Terezë”, ka theksuar ai.

“Ky promovim i pullës postare është përmbushje e misionit tonë, për t’i treguar botës se edhe ne, si Nëna Tereza, duam të shpërndajmë paqe”.

Mustafa: Nënë Tereza personifikim i virtyteve më të larta njerëzore

ZKP-3Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në fjalën e tij theksoi rëndësinë që ka për Kosovën shenjtërimi i Nënës Terezë dhe aktivitetet shtetërore që po organizohen në kuadër të Vitit të Nënës Terezë, të shpallur nga Qeveria e Kosovës.

“Për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj, është një nder i veçantë që të respektojmë një figurë të jashtëzakonshme dhe një humaniste globale siç është Nënë Tereza. Prandaj, ky vit është një vit i madh për Kosovën, është vit i të arriturave tona, por mbi të gjitha është vit i Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa më tutje ka folur për figurën e Nënës Terezë duke e quajtur figurë madhore që doli nga populli shqiptar, por që tani i takon tërë njerëzimit.

“Nënë Tereza është personifikim i humanizmit, i vetëmohimit për njeriun, i sakrificës shpirtërore dhe fizike për njerëzit në nevojë, është simbol i dashurisë, i shpresës dhe i virtyteve më të larta njerëzore. Prandaj Shenjtërimi i Nënë Terezës është një ngjarje botërore, por një ngjarje të cilën ne në Kosovë dhe gjithë shqiptarët e përjetojnë në mënyrë të veçantë për arsye të përkatësisë sonë dhe Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Duke vlerësuar lartë edhe veprën e Postës së Kosovës për emetimin e Pullës Postare e cila i përkushtohet Shenjtërimit të Nënës Terezë, kryeministri Mustafa i ka përgëzuar të gjithë ata që kanë punuar në këtë drejtim.

“Ne të gjithë po demonstrojmë respektin tonë shtetëror, respektin tonë qytetar, respektin tonë social, por edhe të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për figurën e Nënë Terezës. Unë ju falënderoj për këtë organizim, falënderoj Postën dhe veçmas falënderoj Ipeshkvin e Kosovës për gjithë punën e madhe që po bënë në këtë vit, por edhe punën që ka bërë edhe në vitet e kaluara në dhënien e rëndësisë së veçantë simbolikës së figurës së Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Gjergji: Nëna Terezë është fytyra jonë

Pulla

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka falënderuar Postën e Kosovës për iniciativën që në letrat që do të nisen prej Kosovës nëpër botë “të jetë figura e shenjtëreshës sonë Gonxhes sonë të dashur, nënës së botës dhe nënës së të varfërve, e cila na nderon dhe na bënë krenar të gjithëve”.

Imzot Gjergji, po ashtu  ka falënderuar kryeministrin për shpalljen e vitit të Nënës Terezë, por edhe për kontributin të cilin Qeveria e Kosovës e ka dhënë për koncertin i cili do të mbahet në Vatikan në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë, më 3 shtator, dhe Parlamentin e Kosovës që e ka shpallur ditën e bamirësisë 5 shtatorin, ditën e Nënës Terezë.

“Është me të vërtetë një nder i madh për të gjithë ne dhe është një mundësi e mirë për t’i falënderuar të gjithë ata të cilët përpiqen që të bëjnë diçka të mirë për njerëzimin, të bëjnë diçka të mirë për kombin, të bëjnë diçka të mirë për familjen, të jenë njerëz të mirë në këtë botë”.

“Figura e Nënës Terezë i tejkalon të gjithë dhe është shpërblim nga Zoti për të gjithë sakrificën që kombi ka bërë në historinë e vet. Sepse, Nënë Tereza është figurë e shpirtit tonë dhe e zemrës bujare te shqiptarët. Askush në histori s’ka ditur ta shpalosë zemrën bujare të popullit tonë si Nënë Tereza. Këndej, ne nuk duhet të mendojmë se çka ka bërë Nënë Tereza për ne, sepse punën më të madhe Nënë Tereza e ka bërë që se ka mohuar kurrë që është bijë e gjakut tonë dhe që në emër të këtij gjaku dhe në emër të kësaj bije na kanë dashur dhe vazhdojnë të na duan, na kanë simpatizuar dhe vazhdojnë të na simpatizojnë, njerëzit e mbarë botës, sepse është fytyra jonë”, tha Gjergji.

Autore e kësaj pulle postare është producentja Diana Toska, ndërkaq dizejnatore Hilminjeta Apuk.

Posta e Kosovës thekson se një nga misionet kryesore të Filatelisë është promovimi i vlerave kombëtare dhe se emetimi i pullës postare për Nënën Terezë është përmbushje e këtij misioni.

Drejtuesit e Postës thanë se edhe në të ardhmen do të nderojë përmes pullave postare personalitetet e shquara.

Të ngjashme