Pronarët e kiosqeve protestojnë para Komunës së Prishtinës: Po diskriminohemi nga komuna

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 09:40 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pronarët e kiosqeve të Prishtinës kanë protestuar para Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Kjo protestë mbahet në shenjë pakënaqësi për ndërrimin e këtyre kiosqeve me të reja duke mos diskutuar fare me pronarët dhe kushtet e reja që janë vënë për ta pasur një kioskë.

Sadudin Hasani, kryetar i Shoqatës për Biznese të Vogla- Kioska, tha ata pranojnë vetëm kushtin për ndërrimin e kioskave të reja sipas planit dhe në pikat e caktuara nga Drejtoria e Urbanizmit.

“Kërkojmë që të hiqen kriteret diskriminuese nga ana e Komunës së Prishtinës në ankandin e shpallur, për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të pronës në afat prej 15 viteve për vendosjen e qoshqeve në rajonin e Komunës së Prishtinës. Ato kritere janë: 5 milion euro qarkullim për 3 vitet e fundit. Rrjet tregtar prej minimum 5 dyqaneve markete me pakicë në Prishtinë.

“Kërkesat tona janë: Qe asambleja komunale e Prishtinës të votojë me shumicë të votave në asamble që shfrytëzuesve aktual të na vazhdohet e drejta e shfrytëzimit të hapësirës ku ne punojmë nga 10 vjet deri në 40 vjet në vendet e njëjta dhe për ne është e pranueshme që të paguajmë taksën komunale për shfrytëzimin e hapësirës”.

“…sipas taksës që është aktuale për metër katrorë në bazë të ligjeve dhe sipas zonës ku janë të vendosura kioskat. Ne pranojmë kushtin për vetëfinancim për ndërrimin e kioskave të reja sipas planit dhe në pikat e caktuara nga Drejtoria e Urbanizmit”.

Agim Tërstena, tha se ka dy javë që presin të kenë një takim me kryetarin e Komunës Shpend Ahmetin, por që ky i fundit nuk i ka pranuar në takim.

“Komuna ka dalë me do kritere shumë të papërshtatshme për neve, ne jemi punëtorë të kioskave, unë jam punëtori më i vjetër i kioskave në Prishtinë. 39 vjet i kam në kioskë dhe tash në këtë moshën time unë s’di tjetër çka të bëj e as nuk e di ku të kërkojë punë, ky neve na ka anashkaluar, na ka qitë në rrugë”.

“…ne jemi ardhur me bë një mirëkuptim, i kemi lutë 2 javë ditë e kurrë kryetari nuk na ka pranuar brenda dhe na mbetet me këto kërkesa nëse mundemi me ia arritur qëllimit që atë konkurs me e anuluar. Ai konkurs oshtë dhanë për mafiozët më të mëdhenj të Kosovës”.

Shukrije Berisha, tha se kushtet e komunës janë të papranueshme, raporton EO.

“Unë jam punëtore e Ish-Rilindjes qe 33 vjet, tash qe 8 vjet e kam biznesin tim, me këto kërkesa që e kanë shpallë tenderin na nuk mundemi asnjë me iu përshtatë. Nëse kërkohet objekti si objekt me u ndërruar ne mundemi me e ndërruar, më shumë s’mudemi me bë”.

Kurse në njoftimin e Komunës së Prishtinës dy nga kushtet që duhet plotësuar për të marrë në shfrytëzim një kioskë janë që aplikuesi të ketë të hyra apo qarkullim prej 5 milionë eurosh ose më shumë në tri vitet e fundit dhe të ketë rrjet tregtar prej minimum 5 dyqaneve apo marketeve në Komunën e Prishtinës.

Të ngjashme