Propozimi për zbatimin e gjykimeve në mungesë kërkon debat profesional e jo politik

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e miratimit të propozimit për ndryshimin-plotësimin e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) nuk pajtohet me propozimin që ligji në të ardhmen të mundësojë gjykimet në mungesë të personave, për të cilët dyshohet se janë kryerës të veprave penale që kanë ndodhur gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë e të cilët nuk janë të qasshëm për organet e ndjekjes, përkatësisht ndodhen jashtë territorit të Kosovës.

Komisioni për legjislacion, mandate, imunitete, rregullore të Kuvendit dhe mbikëqyrje të Agjencisë kundër korrupsionit, në datën 9 shtator të vitit 2018, me shtatë vota për dhe dy abstenime, e ka miratuar propozimin e Lëvizjes për Vetëvendosje për ndryshimin përkatësisht plotësimin e Kodit mbi Procedurën Penale të Kosovës, me të cilin parashihet mundësia e gjykimit në mungesë. Në arsyetimin e propozimit, i cili nga ana e Komisionit është vlerësuar si i vonuar, midis të tjerash thuhet se me anë të mundësimit të gjykimit në mungesë, krahas respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë, do të eliminohet një padrejtësi e madhe.

FDH Kosovë vlerëson se propozimi synon që në procedurën penale të fus një ndryshim, i cili mund të ketë tash për tash pasoja të paparashikueshme. Propozimi, me të cilin parashihet mundësia e gjykimit në mungesë për krimet e luftës nuk do të duhej të miratohej deri sa për te nuk zhvillohet, jo vetëm debat politik, por edhe profesional në të cilin do të kërkoheshin përgjigje në pyetjet: çfarë pasojash juridike do të kishin aktgjykimet, në të cilat bëhet gjykimi në mungesë; a thua aktgjykimet e këtyre gjykimeve do ta sigurojnë të drejtën e viktimave në drejtësi; a do të jenë viktimat të kënaqura me faktin që, në bazë të dëshmive të tyre, të gjykohet dikush i cili nuk është i pranishëm; a është fare e mundshme për të zhvilluar një shqyrtim kryesor valid/të ligjshëm kundër dikujt i cili ende është në liri; si dhe a është e mundur që viktimat ose familjet e tyre të marrin satisfaksionin ose të realizojnë ndonjë kompensim tjetër në bazë të aktgjykimeve, me të cilat eventualisht shpallen fajtor dhe gjykohen të akuzuarit në mungesë?

FDH Kosovë e fokuson vëmendjen në faktin se konventat ndërkombëtare, Pakti mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe standardet ndërkombëtare, krahas të drejtës në ankesë, e parashohin të drejtën e të akuzuarve në gjykim të drejtë dhe shqyrtim publik para gjykatës së pavarur dhe të paanshme, të zhvilluar në bazë të ligjit ku palët në procedurë kanë të drejtë për të paraqitur argumentet e tyre.

Sa i  përket zgjidhjes, të cilat në lidhje me këtë çështje i zbatojnë shtetet e tjera, duhet të merret parasysh se gjykimet në mungesë organizohen shumë rrallë dhe në rrethana tejet specifike, për të cilat duhet të plotësohen kushtet e caktuara, sepse në këto gjykime nuk përjashtohen manipulimet.

Debati publik dhe profesional mbi propozimin që në Kosovë të mundësohet gjykimi në mungesë për veprat më të rënda penale, siç janë krimet e luftës,  sipas FDH Kosovë duhet të kërkoj përgjigje edhe në pyetjen nëse gjykimet e këtilla mund të përbëjnë ngarkesë shtesë për institucionet e gjyqësorit në Kosovë, edhe ashtu stërngarkuara. Nuk duhet të hiqet nga vështrimi as obligimi i gjykatave që, pas burgosjes eventuale të personave, të cilat kanë qenë të gjykuar dhe të dënuar në mungesë, në këto lëndë prapë të hapin shqyrtimet kryesore në bazë të respektimit të të drejtave dhe të lirive të tyre themelore, duke e përfshirë edhe atë në ankesë dhe gjykim të drejtë.

Në lidhje me problemin se cilin propozim për lejim të gjykimit në mungesë dëshiron ta zgjidh, duhet të theksohet në fund se një nga mënyrat për zgjidhjen qëndron në intensifikimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Në këtë kontekst, FDH Kosovë konsideron se Kosova e ka rastin shumë të mirë që në fund të dialogut me Serbinë këtë çështje ta vendos në rendin e ditës me qëllim të arritjes së marrëveshjes mbi ekstradimin e të akuzuarve tek organet e gjyqësorit të Kosovës.

Të ngjashme