Protestë kundër neglizhencës së Policisë e Prokurorisë për dhunimin dhe vrasjen e 12-vjeçarit

Prishtinë | 19 Kor 2019 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Po bashkohen për të protestuar.

Nga këtu, banorët e komunitetit pakicë në Fushë Kosovë do të dalin kundër racizmit që, sipas tyre, çoi në vdekjen e 12-vjeçarit, raporton KTV.

Së bashku me shoqërinë civile, ata po kërkojnë zbardhjen e rastit të të miturit që u dhunua e pastaj u vra.

Turmës iu bashkua edhe zv. ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi.

Ai tha se neglizhenca e policisë nuk e shpëtoi të miturin.

Marshi i banorëve të lagjes “Meshari”, vazhdoi drejt Stacionit policor në Fushë Kosovë.

Gjatë rrugës po brohoritej për drejtësi e trajtim të barabartë.

Me të arritur para stacionit, bënë thirrje për ndalim të racizmit.

Protestuesit kërkuan edhe shpjegim për vonesat e trajtimit të rastit të 12-vjeçarit. Me brohoritje kërkonin të takoheshin me komandantin e rajonit policor në Fushë Kosovë.

Në mbështetje të banorëve të komunitetit në Kosovë dolën edhe deputetët e opozitës.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Policia vazhdimisht po vonohet në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve.

Ajo tha se është formuar një grup punues që bashkëpunon me Prokurorinë për të parë nëse veçse ka pasur neglizhencë në trajtim.

Protesta u shpërnda e qetë me thirrjen për protestën e radhës para Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që do të mbahet të martën në orën 12:00.

Të ngjashme